Pas dy viteve e gjysëm betejë me palëve, Gjykata e Apelit i ka lënë vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës. Gjykata nuk ka pranuar ankimin e Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri se vula i takon Sali Berishës.
Për më shumë se 2 orë seancë gjyqësore u dëgjuan përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës dhe të grupit demokrat të Rithemelimit të Sali Berishës.
Në orën 12:35 Trupi gjykues i përbërë nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro u tërhoqën në dhomën e këshillimit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka folur menjëherë pasi Apeli i ka dhënë Vulën e Partisë Demokratike grupit të Rithemelimit.
Ai u shpreh se me këtë vendim, opozita e përçarë ka marrë fund, ndërsa theksoi se sot është një ditë e mirë për demokratët.
“Sot është një ditë e mirë për të gjithë demokratët. Zëri i tyre megjithëse në oazin e padrejtësisë u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës, e cila po zvarritej prej tre vitesh. E vërteta që demokratët janë ata që vendosin me vullnetin e tyre çdo gjë që ka të bëjë me Partinë Demokratike.
Komenti ynë është shumë i thjeshtë, demokratët janë të bashkuar, vendimi i gëzon ata. Por sot është një ditë e keqe për regjimin sepse demokratët e bashkuar nga sot do kenë vetëm një mision, çrrënjosjen e këtij narkoregjimi dhe kthimin e shpresës te shqiptarët.
Një opozitë e përçarë ka marrë fund. Një opozitë e zvarritur ka marrë fund. Sot Shqipëria ka një PD të vërtetë. Sot Shqipëria ka një opozitë të bashkuar.
Një opozitë të bashkuar që do i japë zë.
…Thirrja është për çdo demokrat, shtëpia juaj ka qenë dhe është PD-ja.
Kjo thirrje vlen për çdo demokrat, por jo për ata që e ndjejnë veten në krah të Edi Ramës.
Çdokush që e ndjen veten demokrat dhe në opozitë me këtë regjim, është i mirëpritur.
…Ky është një vendim i formës së prerë që e kanalizon plotësisht këtë çështje.
Kjo ditë nuk është për të festuar, as për triumf. Është një ditë e vërtetë ku demokratëve iu bëhet thirrje të jenë të gjithë bashkë kundër narkoregjimit.
Narkoregjimi duhet shembur që Shqipëria të udhëtojë në Europë.
Narkoregjimi është pengesa e vetme e udhëtimit evropian të Shqipërisë.
Dhe na bie barra t’i prijmë kësaj beteje.
Unë në emër të gjithë kolegëve u bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer, të mashtruar dhe të keqinformuar, kthehuni në shtëpinë tuaj se shtëpia juaj ka vend për çdo qytetar të këtij vendi që është kundër narkoregjimit.
I bëjmë thirrje çdokujt që është kundërshtar i regjimit, nuk i bëjmë thirrje kurrë atij që është shërbëtor i këtij narkoregjimi.
…Në këtë oaz padrejtësish në këtë vend, ka edhe ndonjë ishull që akoma integriteti i udhëheq.
Këto zonja treguan se integriteti prevalon mbi urdhrat politikë”, tha Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.