Ne rrjet

Gjukanoviç në OKB: Në Ballkan janë rikthyer idetë e rrezikshme nacionaliste

Presidenti malazez Milo Gjukanoviç ka ngritur të premten alarmin se Ballkani vazhdon të jetë një fushëbeteje e përplasjeve gjeopolitike.

Duke folur gjatë Asamblesë së përgjithshme të OKB -së më 23 shtator, presidenti u shpreh se kjo ka çuar edhe në ngadalësimin e procesit të integrimit të rajonit në BE.

"Edhe sot e kësaj ditë ekzistojnë sfidat dhe kërcënimet ndaj demokracisë në Ballkan. Rajoni është përsëri arenë e interesave gjeopolitike, pasojat e të cilave janë ngadalësimi i integrimit të shoqërive të Ballkanit Perëndimor në mjedisin e tyre natyror evropian", shtoi presidenti malazez.

Ai gjithashtu kujtoi të pranishmit se Mali i Zi festoi 15 vjetorin nga shpallja pavarësisë këtë vit. Ndër të tjera, tha se Podgorica "kaloi në një rrugë të vështirë".

“Ishte e ashpër. Sidomos në Ballkan, i cili vazhdon të jetë një objekt i përjetshëm shqetësimi i aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Por jo gjithmonë rajoni merr vëmendjen nevojshme në kohën e duhur”, tha ai.

“Sfidat dhe kërcënimet ndaj demokracisë në Ballkan nuk janë më të pakta sot, sesa 15 vite më parë”, u shpreh presidenti.

Ai tha gjithashtu se konfuzioni në lidhje me integrimin e rajonit jo vetëm që po çon në ngecje dhe prapambetje në zhvillimin e rajonit por gjithashtu ka lënë terren për zgjimin e teorive të rrezikshme të krijimit të shteteve entike, që mund ta zhysin Ballkanin në tensione të mëtejshme.

“Për shkak të prapambetjes Ballkani nuk mund të jetojë si një bashkësi multietnike dhe multi-fetare ose të sigurojë funksionimin e shteteve”, tha presidenti malazez.

Edhe pse nuk përmendi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Serbinë, Gjukanoviç tha se disa vende të rajon kërkojnë tensione në mënyrë që të krijojë një alibi për rinovimin e projekteve nacionaliste në që çuan në luftë në vitet 1990.

Presidenti ëhstë përfshirë në një betejë publike me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç të cilin e ka akuzuar se e do Kosovën pa shqiptarë dhe Malin e Zi pa malazezë.

Gjatë fjalës së tij, ai tha gjithashtu se vendosmëria në Ballkan për idetë rrezikshme të shteteve entike nuk është zbehur.

"Kjo është arsyeja pse sot, nga ky vend, Mali i Zi paralajmëron për rrezikun e përtërirë të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe ngushtimin e horizontit të perspektivës së tij evropiane," tha Milo Đukanović.

Gjukanoviç tha se Mali i Zi është shembulli më i mirë për rrezikun e destabilizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur tek investimet e huaja të rrezikshme.

Një projekt për ndërtimin e autostradës në vlerë prej 1 miliard dollarësh në Mal të Zi u vendos në qendër të debatit për ndikimin kinez në Europë, pasi rrezikonte të çonte në falimentimin e vendit fqinj.

Mali i Zi pati njoftuar se nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhin e tij ndaj Kinës. Përveç kësaj ky projekt u kritikua edhe për koston.

Përfundimisht, Podgorica mori ndihmë nga një sërë institucionesh amerikane dhe evuropiane për të ndihmuar në stabilizimin e financave të saj dhe për të përmbushur pagesat e huasë.

Një raport i ri i Qendrës për Studimin e Demokracisë me bazë në Bullgari thotë se në vendet ku ka pasur hyrje të kapitalit kinez është vërejtur ndikim negativ në cilësinë e qeverisjes.

Pjesa më e madhe e ndikimit të Pekinit është fokusuar në Hungari, Çeki dhe Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas raportit, vendet që kanë pësuar më së shumti në rënien e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e nivelit të borxhit janë Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë