Politike

Gjuha e rrugës në Parlament, ISP: Kryeministri shkel Kodin e Sjelljes

Gjuha e ashpër që përdoret nga politikanët shqiptarë konsiderohet nga ana e Institutit të Studimeve Polititike si tejet shqetësues e dhe si një shkelje e Kodit të Sjelljes dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Më shqetësues është fakti se kjo gjuhë e ashpër dhe urrejtjeje përdoret jo vetëm nga deputetët e partive politike, por edhe nga liderët e partive politike.
Kodi i Sjelljes i miratuar nga Kuvendi në prill 2018 në nenin 6, thekson se “deputetit i ndalohet të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër”. Gjithashtu përcaktohet se të zgjedhurve të popullit u ndalohet “të shfaqin forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politike, në veprimtari parlamentare ose jashtëparlamentare ku merr pjesë”.
Kodi parashikon se në rast shkeljeje aplikohen masa disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Sipas vlerësimit të ISP-së, seancat e të enjtes në Parlament, por edhe disa prej debateve në komisionet parlamentare, vijojnë të jenë shembuj flagrantë të shkeljes së etikës, të komunikimit denigrues dhe diskriminues, të ligjërimit diferencues dhe etiketues, të fyerjes dhe shpesh edhe të shantazhit personal e familjar.

Postimi i kryeministrit Rama pas vetëdorëzimit të “Eskobarit” të Ballkanit, Klement Balili


“Ato janë dëshmi e paaftësisë së elitës politike për të prodhuar politikë, e nivelit të lartë korruptiv dhe e kulturës së denigrimit që vjen ndesh me kulturën e shtetit, të alternativës dhe të konkurrencës demokratike. Fatkeqësisht, deri më tani Kuvendi dhe as grupet parlamentare nuk kanë mbajtur qëndrime kritike dhe nuk kanë ndërmarrë akte institucione distancuese dhe disiplinore ndaj individëve që promovojnë praktika të tilla negative dhe në shkelje të ligjit. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se bartësit kryesorë të ligjërimit denigrues janë vetë drejtuesit kryesorë të partive politike, pra individët që duhet të ishin edhe garantues të zbatimit integral të Kodit të Sjelljes”, thuhet në deklaratën e ISP-së.
Pra, kjo frymë e politikanëve shqiptarë nëpërmjet ligjërimeve fyese e denigruese është kthyer tashmë jo vetëm normë në komunikimin parlamentar të së enjtes, por edhe normë në komunikimin e institucioneve në raport me publikun.
Shembull tipik, sipas ISP-së, është rasti i kryeministrit Edi Rama, i cili ashtu si edhe sot (11.02.2019) edhe në shumë raste të tjera vijon të përdorë shprehjen “qentë le të lehin” apo “sa më shumë të lehin qentë”, shprehje që ai ia adreson qytetarëve kritikë, medies kritike apo politikanëve kritikë, në tërësi rreth gjysmës së shoqërisë shqiptare.
ISP apelon Kuvendin e Shqipërisë, por edhe autoritetet e tjera, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të ndërmarrin hapat ligjorë të parashikuar në Rregulloret dhe legjislacionin përkatës, për të ndikuar në dhënien fund të retorikës fyese dhe diskriminuese, dhe për respektimin e parimeve të Kodit të Sjelljes në Parlament, në institucione dhe në aktivitetin politik apo administrativ jashtë tyre.

MIRËMËNGJES 😀dhe me këto pamje që s'kanë nevojë për koment nga kantieri i Rrugës së Arberit, duke ju siguruar të gjithë se sa më shumë të lehin qentë aq më të frymëzuar e të vendosur jemi për ta bërë Shqipërinë që duam, ju uroj një javë të mbarë 👍

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 10. Februar 2019
Postimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama
 

Më Shumë