Kryetari dhe dy punonjës të Shoqatës së Peshkimit në Pogradec janë arrestuar nga policia, pasi kanë lejuar e ndikuar në peshkimin e paligjshëm të koranit.
Bëhet fjalë për Adriatik Dokollari,në cilësin e Kryetarit të Shoqatës, bashkë me punonjësit Mariel Durollari e Endri Pera, të cilët kanë shpërdoruar detyrën, dhe në banesat e tyre janë gjetur një sasi peshku korani si dhe lekë.
“Pas një pune hetimore finalizuan me sukses operacionin policor të koduar 'Korani', si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:
A. D., 49 vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec (me detyrë kryetar i Shoqatës së Peshkimit Pogradec);
M. D., 47 vjeç, banues në Hudënisht (me detyrë punonjës në këtë shoqatë); E. P., 43 vjeç, banues në Memëlisht, Pogradec (me detyrë punonjës në këtë shoqatë)”, njofton policia.
Sipas policisë, ata detyronin peshkatarët të kryenin gjueti korani, më pas e tregtonin në lokalet e Pogradecit për përfitime personale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër” kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.