Sinsinati nuk është më një tabu për Novak Gjokoviç. Tenisti serb ka thyer mallkimin në finalen kundër Roxher Federer, duke fituar të vetmin “Master 1000” që i mungonte në karrierën e tij. Nole ia arriti të ngrejë lart trofeun që në të kaluarën i kishte shkuar 5 herë shumë pranë, në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2015, por pa mundur ta fitojë. Serbi bëhet kështu tenisti i parë i “Career Golden Masters”.
Në finalen e shumëpritur, Gjokoviç kaloi numrin 2 të klasifikimit botëror, Roxher Federerin, me rezultatin 2-0. Tenisti serb i fitoi të dy setet 6-4 dhe ndeshja zgjati një orë e 24 minuta. Federer vinte në këtë finale një muaj pas humbjes në çerekfinalet e Uimbëlldonit kundër Kevin Anderson. Për tenistin nga Beogradi bëhet fjalë për trofeun e 70-të të fituar në 101 finale të luajtura, i dyti në këtë sezon pas triumfit në Uimbëlldon. Kurse 37-vjeçari nga Bazeli, – 7 herë fitues në Ohajo: 2005, 2007, 2009, 2010, 2012, 2014 dhe 2015 – është ndalur pas 15 ndeshjesh radhazi të fituara na “Cincy Open”.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.