Ka ndodhur

Gjobiten 9 lokale dhe 692 qytetarë, 27 shkelën karantinën pas orës 22:00

Policia e Shtetit vijon me kontrollet në të gjithë vendin e për zbatimin e masave anti-covid.

Gjatë 24 orëve, policia ka ndëshkuar me masë administrative, 692 qytetarë dhe 9 administratorë lokalesh, pasi nuk i respektuan këto masa.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 692 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 9 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Ndërkohë janë vënë masa administrative edhe për 27 qytetarë dhe 2 subjekte që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00.  

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara për zbatimin e masave kufizuese, kanë konstatuar 2 lokale ku ushtrohej aktiviteti pas orës 22:00. Secili nga subjektet shërbimet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 27 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili”, vijon njoftimi.

Policia ndër të tjera u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë