Rend dhe Ligj

Gjobiten 49 shoferë dhe 397 qytetarë

Policia njofton se vazhdon të marrë masa ndaj atyre personave që nuk respektojnë ligjet për masat ndaj Covid-19.

Policia thotë se gjatë 24 orëve të fundit, janë konstatuar 49 drejtues mjetesh që nuk iu janë përmbajtur masave dhe janë gjobitur 397 qytetarë.

Ndërkohë, në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, shtetasi L. R., 31 vjeç, banues në Tiranë, sepse është konstatuar gjatë pasdites së djeshme, duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit; shtetasi M. Ç., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin motor, pa lejen përkatëse të drejtimit. Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërkohë, në Durrës është proceduar penalisht shtetasi K. M., 47 vjeç, pasi është konstatuar duke lëvizur gjatë orarit të karantinës dhe ka tentuar të vjedhë në një lokal.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në Berat është gjobitur me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi S. R., 35 vjeç, i cili ishte kthyer para 10 ditësh nga Greqia dhe i ishte komunikuar që të vetëkarantinohej, por është konstatuar jashtë ambienteve të banesës.

Në të gjithë vendin është konstatuar 1 lokal i hapur dhe është gjobitur adminsitratori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë