Politike

Gjobat, Meta: Qeveria të rishikojë vendimin, por maskat mbajini

Që në fillim të konferencës, Presidenti Ilir Meta është shprehur i shqetësuar për aktin normativ të Qeverisë që parashikon gjoba në faturën e energjisë elektrike për mosmbajtjen e maskës. Sipas tij, ky Akt Normativ është i paqartë dhe e shndërron OSHEE-në në instrument policor dhe elektoral.

“Çdo masë që merret për arsye shëndetësore e certifikuar nga ekspertë është e mirëpritur, por përmbajtja e aktit që gjobit qytetarët për mosmbajtjen e maskave është një maskaradë, se shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, se mund ti lërë pa drita në fund të muajit në mes te dimrit se i shantazhon me burg, e shndërron OSHEE në një instrument policor e ndoshta edhe elektoral që ekzekuton në mënyrë të paligjshme gjoba.

Nuk është zgjidhje ti lësh njerëzit pa drita, e që në fund të muajit kur mos të kenë mundësinë të paguajnë gjobat ti presësh dritat e ti shantazhosh me burg.

OSHEE ka mision të furnizojë më energji elektrike, s’mund të ndërpresë energjinë për mosmbajtjen e maskës, akti normativ në 3 fjali tërësisht të paqarta e të mjegullta shkon shumë më tej në qëllimet e tij dashakeqëse”, tha Meta. Megjithatë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta (ndryshe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi) bëri thirrje që maskat të vihen.

"U bëj thirrje gjithë qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e autoriteteve të shëndetit publik, në rastin konkret ata që kanë mundësi maskat ti mbajnë, ti blejnë, mos harrojmë që një pjesë e madhe është dhe në këtë lloj pamundësie, se ju i dini treguesit e varfërisë.

Jam kundër atyre që bëjnë thirrje për të mos mbajtur maska.

Ndërkohë qeveria duhet të kishte marrë masa për të mbështetur ata që nuk kanë mundësi dhe të mbështesë dhe më mirë gjithë personelin që është në vijën e parë me këtë pandemi".

Për ndryshimet e reja ne Kodin Zgjedhor, Meta tha se kthimi i dekretit nga ana e tij po shtyhet për arsyen e vetme se dekreti duhet të jetë i mirëargumentuar nga ana kushtetuese, ligjore dhe në përputhje me standardet e Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë