Futboll

Gjoba e pezullime drejtuesish, klubet e Superiores mbeten një problem serioz

Gazeta Si - Pas çdo jave të Superiores, Komisionet e Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së vendosin gjoba sistematike, kryesisht për sjelljen e gabuar të tifozëve. Kjo është diçka e zakonshme në futbollin shqiptar, por tani shtohet edhe problemi me drejtuesit e klubeve.

Për ngjarjet e javës së 9-të të Superiores, Disiplina ka vënë gjoba për disa klube, si Tirana, Kukësi dhe Erzeni, por gjithashtu ka dënuar edhe dy zyrtarë. Bëhet fjalë për Alban Hoxhën e Egnatias dhe Naim Halilin e Kukësit. I pari është pezulluar me 8 ndeshje, kurse i dyti me 5 ndeshje.

Ky është vërtet një problem serioz, sepse klubet e Superiores duhet të japin shembullin e tyre në organizimin dhe sjelljen gjatë ndeshjeve, duke shërbyer si model për kategoritë më të ulëta, ku kjo problematikë është shumë herë më e madhe. Por edhe në nivelin elitar të futbollit shqiptar ende nuk po bëhen hapa përpara në këtë drejtim.

Vendimet kryesore të Disiplinës dhe Etikës:

Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Zyrtari i Egnatias, Alban Hoxha, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 8 ndeshje pezullim.

Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe mosmarrjen e masave paraprake te sigurisë, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Zyrtari i Kukësit, Naim Halili, për ofendime ndaj zyrtarëve të ndeshjes gjatë mbledhjes zyrtare para fillimit të ndeshjes, dënohet me 5 ndeshje pezullim. I ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet.

Laçi paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mosmarrjes së masave për zbatimin e rregullave të lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore.

Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës si dhe mosgarantimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë dhe 2 ndeshje pa spektatorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë