Drejtësia

GJKKO refuzon ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici për zbutje të masës së sigurisë

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Safet Gjicit për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Gjici kishte kërkuar ndryshim të masës së sigurisë me argumentin se hetimet mbaruan dhe nuk ka rrezik për prishjen e provave. Por GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, që Gjici të qëndrojë në burg, duke rrëzuar kërkesën për zbutje të masës.

Vendimi vjen pak ditë pasi SPAK mbylli hetimet, duke dërguar për gjykim dosjen ndaj ish-kryebashkiakut dhe Alma Kaçit, përkatësisht për veprat penale “korrupsion pasiv dhe korrupsion aktiv.

Safet Gjici u arrestua në 24 qershor në Tiranë, pak javë pasi ishte rizgjedhur në krye të Bashkisë së qytetit verilindor.

SPAK kërkon nga gjykata ta marrë të pandehur Gjicin me dyshimet se gjatë ushtrimit të detyrës, ai është përfshirë në korrupsion dhe nëpërmjet favoreve seksuale të përfituara nga Alma Kaçi, e cila kishte për qëllim marrjen e një projekti të financuar nga Bashkia Kukës.

Hetimet për Gjicin nisën në qershor të këtij viti dhe pas publikimit në rrjetet sociale dhe media të një videoje të xhiruar në ambientet e zyrës së tij, gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.

Video, siç rezultoi nga hetimet ishte xhiruar nga vetë Alma Kaçi. SPAK gjatë këtyre muajve hetoi edhe motivet e filmimit të materialit, por 40-vjeçarja ka pretenduar se e ka bërë për ta demaskuar ish-kryebashkiakun.

Sipas saj, projekti për rehabilitimin e qenve të rrugës nuk ishte real dhe ka kërkuar gjatë hetimeve pushimin e çështjes.

Por SPAK thotë se fakti që Gjici, pas aktit seksual delegon veprimet për projektin e propozuar nga Kaçi, te vërtetësi i tij, ka çuar në konsumimin e veprës penale të korrupsionit pasiv.

Edhe pse dha dorëheqjen, qeveria vendosi ta shkarkojë kryebashkiakun socialist në mbledhjen që u mbajt në ditën që u publikua skandali në media. Gjici drejtonte prej vitit 2019 Bashkinë e Kukësit dhe fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet lokale të 14 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë