Drejtësia

GJKKO lë në regjimin ’41 Biss’ Sokol Mjacajn

Gazeta Si - GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Sokol Mjacaj që kundërshtonte vendosjen në regjimin e posaçëm "41 Biss" në burgun e sigurisë së lartë.

Gjithashtu, Gjykata e Posaçme ka vendosur që shpenzimet gjyqësore do të jenë në ngarkim të Sokol Mjacajt.

“Kërkuesi, Sokol Mjacaj, më datë 03.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e udhërit Nr. 685, datë 15.12.2023 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaҫëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Sokol Mjacaj”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 471 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 25, datë 25.03.2024, vendosi: 1.Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Sokol Mjacaj. 2.Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të kërkuesit”, njofton GJKKO.

Sokol Mjacaj u vendos në regjim të posaçëm pasi vrau Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen brenda burgut të Peqinit.

Të 11 zyrtarët e Burgut të Peqinit, të cilët u arrestuan pas vrasjes së Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, janë liruar nga Gjykata e Apelit.

Mësohet se ndaj tyre janë caktuar masa më lehtësuese, si “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje”. Arben Lleshi u vra me armë zjarri në burgun e Peqinit më 15 dhjetor të vitit të shkuar.

Mjacaj qëlloi me armë zjarri në ambientet e qelisë mbi Arben Lleshin, duke e lënë të vrarë, teksa ngjarja dyshohet të jetë e porositur nga persona të tjerë jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë