Dosje

Dëshmia e drejtorit të burgut, negociatat me Sokol Mjacajn pas vrasjes: Armën e fshehu në kutinë e qumështit (dhe mikesha që i sillte ushqime!)

Gazeta Si - Sokol Mjacaj ka kërkuar siguri për jetën dhe praninë e një prokurori pak para se të dorëzohej tek autoritetet e Burgut të Peqinit, pas vrasjes së Arben Lleshit dhe plagosjes së Indrit Shaqjes.

Në dosjen hetimore për këtë ngjarje, drejtori i Burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës, tregon negociatat që ka pasur me Mjacajn.

Sipas tij, ngjarja ka qenë e planifikuar nga autori, i cili pistoletën e kishte fshehur në kutinë e qumështit pra vrasjes së Arben Lleshit. Hoxha thotë më pas se nga aty ka komunikuar me Mjacajn për rreth një orë e gjysmë.

Teksa autori i vrasjes shfaqej i qetë, sipas drejtorit, ai ka treguar edhe se e ka futur armën para një muaji dhe e ka mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit.

Ndërsa në gjykatë, ku u la në masën "arrest në burg", drejtori Hoxha ka deklaruar se burgu i Peqinit ishte shndërruar "në një hotel dhe kishte probleme serioze me sigurinë".

Dyshohet se dështimi i sigurisë në burg, mosfunksionimi i skanerëve dhe disa kamerave, e lehtësuan futjen e armës së zjarrit.

Ngjarjen, siç ka rrëfyer edhe vetë, Mjacaj dyshohet se e ka marrë vesh se do të futej në regjimin “41-Biss”.

“Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysmë, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Më tha se armën e kam futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. E bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Biss”, ka dëshmuar Hoxha para prokurorisë.

"Pistoleta në qafën e policit"

Pas vrasjes, Hoxha deklaron se i riu nga Dukagjini ika vënë pistoletën në qafë një prej punonjësve të policisë dhe u mbyll më vonë në dhomën e takimit të familjarëve.

“Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, emrin e të cilit nuk e di. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri (lloz) nga brenda”, është shprehur ai.

Hoxha thotë se për ngjarjen është informuar në radio dhe menjëherë ka dalë nga zyra për t’u futur në ambientet e brendshme.

“Më datë 15.12.2023 rreth orës 13:52 minuta kam qenë në ambientet e zyrës, ku kam dëgjuar në radio dhënëse marrëse se diçka po ndodhte në godinën B, në ambientet e ajrosjes. Më raportuan në radio se ka ngjarje dhe duhet ambulanca menjëherë. Në moment kam dalë nga zyra dhe jam nisur për në regjim të brendshëm. Aty kam parë se ishin dy të plagosur me armë zjarri. Hipën të dy të plagosurit në ambulancë dhe i nisën për në spitalin e Peqinit për ndihmë mjekësore. Pas kësaj u futa në ambientet e brendshme midis dy godinave të akomodimit të dënuarve dhe ka shkuar tek vendi ku ishte i vendosur i burgosuri Sokol Mjacaj”.

Hoxha shton se Mjacaj ishte futur pas ngjarjes në godinën ku takoheshin familjarët me të dënuarit. 

“Objekti ishte ku bëhen takimet e familjarëve dhe kishte mbyllur derën nga brenda dhe po qëndronte aty. Mësova nga punonjësit e policisë të planizuar në ajrosje dhe takimet me familjarët se i dënuari Sokol Mjacaj, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete”, - dëshmon drejtori i burgut.

Autori i thirri në emër viktimat

Nga dëshmia e tij, mësohet si Sokol Mjacaj ka thënë se do të shkonte të merrte një kafe në dhomë dhe ka dalë në ajrosje, më pas për të qëlluar nga dritarja, i foli në emër të dëmtuarve, duke i qëlluar me armë zjarri.

“Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes m’u tha që Sokoli i kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë, ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në sheshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është e para, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit. Aty nga dritarja, pasi i foli në emër të dëmtuarve, i ka qëlluar me armë. Pastaj ndërhynë punonjësit e policisë dhe e çuan tek ambientet e takimit. Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, emrin e të cilit nuk e di. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri (lloz) nga brenda”.

Negociatat për t'u dorëzuar

Më tej, kreu i institucionit tregon për bisedën që ka kryer me Sokol Mjaçajn. Ky i fundit ka bërë rezistencë duke kërkuar prokurorin në mënyrë që të dorëzonte armën. Më pas ai ka marrë prangat, është prangosur vetë dhe ka vendosur armën në tokë.

“Afrohem tek dera dhe i burgosuri me tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këto momente, i thashë një policit që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjelli telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi nje ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvuajtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës. E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë neve. Hapi derën dhe e shoqëruam me shërbimet e policisë”, - thuhet më tej në dëshmi.

Kush është gruaja që i sillte ushqime kohët e fundit!

Mjacaj rezulton se ka bërë 5 takime për vitin 2023. I fundit ka qenë më 25 gusht. Sa i përket futjes së ushqimeve, kjo ka ndodhur nga dy persona. Vetëm një herë, më 1 shtator, i ka dërguar i vëllai Paulin Mjacaj.

Ndërsa në 4 raste të tjera, ia ka dërguar një grua. Ajo është prezantuar si kushërirë e Mjacajt, ndërsa më 16 nëntor, që rezulton edhe hera e fundit, është prezantuar si mikeshë. Sipas Hoxhës, gruaja në fjalë quhet Ilda Rapo.

“Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakord që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt”, tha drejtori.

Skaneri i prishur dhe neglizhenca e gardianëve

Megjithatë mbetet mister si është futur arma e zjarrit në një burg të sigurisë së lartë. Hoxha pranon që skaneri ka qenë i prishur në momentin që ai ka marrë detyrën dhe është rregulluar vetëm para disa ditësh.

Sipas tij, kur një familjar sjell ushqime për një të burgosur kalon në disa procese. “Bëhet regjistrimi i të dhënave të personit, i cili sjell ushqimet tek post-blloku në hyrje të rrethimit të jashtëm të IEVP-së. Shoqërohet personi për në vendin e kontrollit që është para hyrjes në regjimin e brendshëm. Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Po skanohen, por skaneri ka qenë me defekt që nga data 21.10.2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjës policie të cilët bëjnë vëzhgimin nga sipër. Ambientet monitorohen me punonjës policie dhe me kamera. Kontrollet bëhen periodike, sipas informacioneve që kemi”, u shpreh ai.

Në dëshmi, Hoxha thotë se mund të ketë pasur një neglizhencë në ndonjë moment nga punonjësit e policisë kur është futur arma.

“Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë pasur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjësit e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me detektor dore”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë