Politike

GJK pezulloi marrëveshjen por qeveria nxjerr VKM-në si do të menaxhohen fondet për emigrantët

Nga Gazeta 'SI'- Qeveria shqiptare ka miratuar së fundmi një vendim që përcakton se si do të menaxhohen fondet për të huajt që urdhërohen të qëndrojnë në një territor të caktuar.

Ndonëse në VKM nuk ka specifikime, detajet janë të ngjashme me ato të marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Marrëveshja Rama-Meloni që u pezullua nga Gjykata Kushtetuese para disa ditësh parashikon ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri me paratë e Italisë.  

Këto para, sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria, do të menaxhohen si buxheti vjetor dhe do të administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, por do të monitorohen nga ministria e Financave.

Zërat e shpenzimeve për qëndrimin e shtetasve të huaj përfshijnë sigurimin e strehimit, të ushqimit e të veshmbathjes, ndihmën financiare me një kuotë mujore prej 3.000 lekësh në muaj. Administrimi i fondeve kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH). Policia raporton çdo datë 5 pagesat e bëra për muajin paraardhës.

Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar, qëndron në një ambient ose rezidencë akomoduese. Ambienti ose rezidenca akomoduese e destinuar për një shtetas të huaj është një apartament, shtëpi private, strehëz, qendër e hapur apo hotel.

Vendimi i qeverisë parashikon edhe punësimin e këtyre shtetasve duke përcaktuar se nëse hyn në marrëdhënie pune, trajtimi financiar për strehimin, ushqimin, veshmbathjet dhe ndihma financiare ndërpriten.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar pezullimin e vendimit nga GJK si një proces automatik dhe se në vetvete marrëveshja nuk është aspak antikushtetuese. Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj foli për mediat italiane duke thënë se duhet të shqyrtohen dy pika kritike të marrëveshjes, ngritur nga deputetët e opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë