Futboll

Gjithçka ndryshon, përveç “urisë” së Bajernit. Flik me numra fantastikë

Ka një konstante te Bajerni që bashkon të tashmen dhe të kaluarën e tij. Para dhe pas koronavirusit, Bajern Munih dominon bindshëm Bundesligën. Bavarezët kanë të njëjtën “uri” gjithmonë, por ndryshimi është se po shënojnë më shumë se zakonisht.

Meritë e trajnerit Flik? Kurrë më parë në historinë e klubit një trajner nuk kishte arritur ta bënte ekipin të shënojë 55 gola në 17 ndeshjet e para (vetëm një 0-0 ndaj Lajpcigut). E ndërsa Bajerni synon të thyejë rekordin e golave në kampionat, ka një statistikë që jep shumë besim: kur 7 javë nga fundi i kampionatit ka pasur 4 pikë ose më shumë diferencë nga vendi i dytë, klubi bavarez ka fituar gjithmonë titullin.

Hans Flik, trajneri i Bajernit. Gazeta Si, 25 maj 2020

Me 5 golat e shënuar të shtunën ndaj Eintraht Frankfurtit, Bajerni ka kapur shifrën e 80 golave në kampionat. Në 7 javët e mbetura duhet të shënojë edhe 21 gola që të barazojë rekordin e 101 golave të sezonit 1971-1972 (e vetmja herë në historinë e Bundesligës që një klub ka arritur apo kaluar shifrën e 100 golave). Mesatarisht, duhen 3 gola për ndeshje. Shumë logjikisht, por pak, nëse marrim në konsideratë numrat e trajnerit Hansi Flik. Me të në stol, Bajerni ka një mesatare prej 3.23 golash për ndeshje, kështu që mund t’ia dalë të thyejë rekordin. Mund t’ia dalë edhe për faktin se në këtë pikë të kampionatit ky ekip nuk kishte shënuar kaq shumë as në sezonin 1971-1972.

Me golin e së shtunës, Levandovski është ngjitur në kuotën e 27 golave në kampionat. Për të arritur rekordin e Gerd Myler (40 gola) nuk do të jetë e lehtë, por jo e pamundur. Për momentin polaku barazon Çiro Imobilen në garën për “Këpucën e Artë” të Europës. Sulmuesi i Lacios, nëse Seria A rinis, ka edhe 12 ndeshje në dispozicion, kurse Levandovski 7 ndeshje.

Bajerni feston një gol. Gazeta Si, 25 maj 2020

Me Flik ka rilindur edhe Tomas Myler. Gjermani, nga 2015-2016 (sezoni i tij më i mirë) e më pas ka shkuar drejt rënies, madje duke humbur edhe kombëtaren. Kur ishte Niko Kovaç trajner, ai humbi edhe fanellën e titullarit te Bajerni. Në 17 ndeshje kampionati me Flik, ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 13 asiste. Edhe atij i është kthyer “uria”, ajo që Bajerni nuk e ka humbur kurrë. As para dhe as pas koronavirusit. Konstatja e një jete që kërkon normalitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë