Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër. Mësohet se kanë humbur jetën dy punonjës të OSHEE në Gjirokastër, pasi makina me të cilën udhëtonin ka rënë në lumin Drino gjatë mesnatës.
Elektricistët Selfo Kallfa, 52 vjeç dhe Ismet Isaraj, 64 vjeç, ishin nisur për të parë avarinë në fshatin Asim Zeneli, por si pasojë e terrenit të keq dhe errësirës, mjeti me të cilin lëviznin dy punonjësit e OSHEE ka rrëshqitur pranë bregut të lumit.
Për shkak të thellësisë së ujit dhe motit të acartë u desh ardhja e palombarëve të RENEA-s nga Tirana për nxjerrjen e trupave dhe automjetit.
“Rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, një automjet të OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën dy elektricistët që ndodheshin në mjet, shtetasit I. I., 64 vjeç dhe S. K., 52 vjeç banues në Gjirokastër. Trupat e të dy shtetasve u nxorën nga palombarët e RENEA-s. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Gjirokastrës në një njoftim për mediat.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ministrja Balluku: Dëmshpërblim për viktimat, do kujdesemi për familjet e tyre
Për vdekjen tragjike të dy elektricistëve në Gjirokastër, ka regiuar edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Përmes një deklarate për mediat, Balluku shprehu ngushëllimet më të thella për dy viktimat, ndërsa tha se do të ketë dëmshpërblim për punonjësit e OSHEE-së.
Ajo shtoi se do ketë kujdes për familjet e dy punonjësve, që humbën jetën gjatë punës.
“Ngjarja e ndodhur në Gjirokastër ishte tragjike. Do të kujdesemi për familjet e dy elektricistëve që humbën jetën gjatë punës.
Ismet Isaraj punonte elektricist prej 22 vitesh. Selfo Kallfa, 34 vite punë si elektricist. Ne do dëmshpërblejmë familjet e viktimave, do kujdesemi për ta”, tha Balluku.
Edhe Kryeministri Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e të ndjerëve, ndërsa vijon të falënderojë në emër të qeverisë të gjithë punonjësit që në këto ditë me mot të jashtëzakonshëm punuan pa u kursyer e duke u gdhirë në fronte tejet të vështira.
“Bashkohem me ngushëllimet e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për familjet e për kolegët e dy punonjësve të OSSHE që humbën jetën në krye të detyrës, si edhe u shpreh të gjithë mirënjohjen time e të qeverisë, të gjithë atyre mijëra shërbëtorëve të shtetit e të popullit, që në këto ditë me mot të jashtëzakonshëm punuan pa u kursyer e duke u gdhirë në fronte tejet të vështira, duke riparuar dëmet në energji e hapur rrugët e bllokuara nga stuhitë e dëborës”, shprehet kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.