Ka ndodhur

Gjirokastër, 20-vjeçarja ndërron jetë pas lindjes në maternitet

Ndërron jetë një 20-vjeçare në maternitetin e Gjirokastrës. Mësohet se shkak i vdekjes janë bërë komplikacionet pas lindjes.

Viktima është identifikuar si Klea Muxhaj nga fshati Metoq i Sarandës, por e martuar në Zhulat.

Ajo ka sjellë në jetë një fëmijë me operacion dhe gjithçka në momentin e parë ka shkuar mirë. Komplikimet e saj janë shfaqur pas lindjes.

Gjendja sipas kreut të spitalit, Sokol Feruni, u agravua me shpejtësi dhe vajza ndërroi jetë rreth orës 4.00. Sipas tij pritet që ekspertiza dhe autopsia të përcaktojnë shkaqet e vdekjes dhe përgjegjësitë nëse ka të tilla.

Por, nga ana tjetër familjarët e Kleas kanë pretenduar për mjekim të pakujdesshëm dhe akuzojnë mjekët se e kanë vënë re me vonesë përkeqësimin e gjendjes së vajzës.

Sokol Muxhaj vjehrri i vajzës tha se mjekët janë rikthyer në spital me vonesë dhe se mjekimi ka qenë i pavëmendshëm. Edhe vjehrra dhe kunati i viktimës konfirmuan gjendjen shumë të mirë dhe faktin se 20-vjeçarja nuk vuante nga asnjë sëmundje.

Spitali i Gjirokastrës ka reaguar zyrtarisht nëpërmjet një njoftimi për vdekjen e 20-vjeçares pas lindjes.

Në reagim thuhet se e reja pati komplikacione të rënda dhe se mjekët nuk e neglizhuan rastin.

“Spitali Rajonal i Gjirokastrës i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e të ndjerës, 20-vjeçares me inicialet K. M., e cila është trajtuar në këtë spital mbrëmjen e djeshme.

Menjëherë sapo është paraqitur në spital 20-vjeçarja është asistuar nga mjekët dhe ka sjellë në jetë foshnjën e saj shëndoshë e mirë”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Ndër të tjera thuhet se “Pas ndërhyrjes operatore, e reja ka pasur komplikacione të rënda dhe me gjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor nuk ka arritur të mbijetojë. Pritet të kryhet ekspertiza mjekoligjore për ngjarjen. Spitali i Gjirokastrës siguron qytetarët që stafi i kualifikuar i spitalit tonë është në shërbim 24/7 për pacientët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë