Futboll

Gjimshiti titullar në Champions, Atalanta rigjen pikat e forcës

Berat Gjimshiti, Hateboer dhe Freuler janë gati për Atalantën për ndeshjen e parë në grup në Champions League. Trajneri Gasperini i kurseu në kampionat ndaj Napolit dhe skuadra e tij u ndëshkua me një humbje të thellë, kurse të mërkurën që të tre pritet të jenë në fushë nga minuta e parë.

Atalanta duhet të lërë pas krahëve humbjen e kampionatit, që ishte një tronditje e fortë, por në Europë do të jetë ndryshe. Në fushën e danezëve të Midtjyland, Gjimshiti me shokë duhet të kthehen ata të zakonshmit, pa e nënvlerësuar aspak kundërshtarin. Bergamaskët, pavarësisht ndeshjes së dobët në Napoli, kanë ide të qarta, entuziazëm dhe mbi të gjitha fizik.

Gjimshti feston një gol me Atalantën. Gazeta Si, 19 tetor 2020

Centimetrat dhe muskujt do të kushtëzojnë formacionin e trajnerit Gasperini të mërkurën dhe opsionet janë të limituara. Kaldara është i dëmtuar dhe në krahasim me ndeshjen e fundit, Romero do t’i lërë vendin Gjimshitit. Mbrojtësi kuqezi do të jetë titullar, bashkë me Toloin dhe Palominon, treshja klasike e Gasperinit në sezonin e fundit. Në të djathtë kthehet Hateboer dhe në qendër të mesfushës Freuler.

Dyshimet e Gasperinit janë vetëm për sulmin, ku Papu Gomez dhe Zapata janë të sigurt, ndërsa për lojtarin e tretë të këtij reparti ka një balotazh Muriel-Lamers. Atalanta i ka rigjetur pikat e forcës dhe në Europë pritet të tregojë nivelin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë