Futboll

Gjimshiti nxjerr Milanin nga Kupa, kapiteni kuqezi feston në ‘San Siro’ me Atalantën

Gazeta Si – Leao nuk mjafton për Milanin, që nuk arrin ta ruajë avantazhin dhe pëson dy gola në ‘San Siro’ nga Atalanta e Berat Gjimshitit, kapitenit të Kombëtares shqiptare, 90 minuta në fushë si gjithmonë. Mbrojtësi kuqezi ishte nga më të mirët në fushë. "Gazzetta dello Sport" shkruan se Gjimshiti zhvilloi ndeshjen perfekte dhe e ka vlerësuar me notën 7.

Atalanta ka mundur 1-2 Milanin me përmbysje dhe është kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me Fiorentinën.

Kuqezinjtë shënuan të parët me Rafael Leaon, pas një kombinimi me Hernandez në të majtë. Atalanta barazoi pa u mbyllur pjesa e parë me Kopmeiners. Në fillim të pjesës së dytë holandezi realizoi edhe golin e dytë për skuadrën e tij me penallti, pas një faulli të Jimenez ndaj Mirançuk.

Të kota kontestimet e lojtarëve të Milanit në këtë rast, ashtu si dhe më pas për një penallti të mohuar, pasi topi u prek me dorë nga një mbrojtës i Atalantës në zonë. Në pjesën e parë, trajneri i Atalantës, Gasperini, u ndëshkua me karton të kuq për protesta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë