Futboll

Gjimshiti është tjetër nivel, kapiteni kuqezi në formacionin më të mirë të Ligës së Europës

Gazeta Si – Gjithmonë e më tepër Berat Gjimshiti bind se është një futbollist me kualitet dhe me cilësitë e një lideri në fushë. Kjo shpjegon dhe zgjedhjen e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, i cili i besoi shiritin e kapitenit, që më parë e mbanin Elseid Hysaj apo Etrit Berisha.

Niveli që mbrojtësi i Atalantës shfaqi në fitoren 0-3 ndaj Liverpulit ka bërë që të përzgjidhet në formacionin më të mirë të Ligës së Europës nga ‘Sofascore’, një faqe e specializuar për vlerësimin e lojtarëve në bazë të disa komponentëve.

Gjimshiti ishte në formacionin më të mirë të katër ndeshjeve të para çerekfinale të Ligës së Europës së bashku me shokun tjetër të ekipit, sulmuesin Skamaka, autor i dy golave. Në këtë formacion bënte pjesë edhe një shqiptar tjetër, mesfushori Granit Xhaka, që luan për Bajer Leverkusen.

Për kapitenin e Kombëtares ky është ndoshta sezoni më i mirë. Ai është thuajse i pazëvendësueshëm në formacionin e trajnerit Gasperini. Silvinjo shpreson që ta ketë mbrojtësin po në këtë nivel edhe në Europianin e Gjermanisë, që fillon për 14 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë