Lajme

Gjigantët e naftës nisin shpimet për gaz në Jonin grek

Pas Qipros, disa nga kompanitë më të mëdha botërore të naftës do të nisin kërkimet për naftë edhe në detin Jon, në pjesën e Greqisë.

Katër kompanitë, “Total”, “ExxonMobil”, “Repsol” dhe “ELPE” kanë marrë zyrtarisht aprovimin e qeverisë greke për kërkimin dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në katër zona detare në Kretë dhe Detin Jon. Kjo projekt i është dorëzuar parlamentit Grek dje nga ministria e mjedisit dhe energjisë, e cila ka vendosur t’i japë këto fusha detare me koncesion.

Ministria e cilësoi këto si "një votë besimi ndaj kompanive të mëdha ndërkombëtare të naftës për të investuar 140 milion euro në eksplorime". Sipas qeverisë konservatore greke, kjo do ta fuqizojë Greqinë si një fuqi ndërkombëtare për kërkimin dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve.

Konkretisht, të dyja kontratat e nënshkruara më 27 qershor 2019 midis shtetit grek dhe konsorciumit “Total”, “ExxonMobil” dhe “Greek Petroleum” miratojnë nisjen e shpimit për naftë në Jugperëndimin e Kretës dhe në të gjithë rajonin e detit Jon në Greqinë Perëndimore.

Mësohet se kërkimet në detin Jon do të nisin në dhjetë zona detare.

Ky zhvillim, në planin afatgjatë, do të përmirësojë më tej sigurinë dhe furnizimin me energji të Greqisë, si dhe pozicionin e saj gjeo-strategjik si një qendër të rëndësishme energjetike për Evropën.

Deti Jon, përfshirë edhe pjesën shqiptare, është një zonë e nënvlerësuar dhe ka shumë pak të dhëna për potencialin e tij për hidrokarbure. “ExxonMobil” e ka përshkruar detin Jon si njëzonë me interes të lartë.

“Exxon” dhe “Total” aktualisht po eksplorojnë Detin e Qipros, ku kanë zbuluar një fushë të madhe gazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë