Politike

Gjermania: Vettingu politik humbje kohe. Heq vëmendjen nga drejtësia

Berlini e sheh me mëdyshje propozimin e opozitës për vetting të politikanëve. Ambasadorja gjermane në Tiranë i cilëson propozimet për amendimin e Kushtetutës për të pastruar klasën politike, nën modelin e procesit që po zbatohet në drejtësi si “konsum i kotë energjie dhe kohe”.

“Debati lidhur me vettingun e politikanëve kam frikë se është një konsumim kohe dhe energjie, që mund ta largojë vëmendjen nga vettingu i gjyqësorit, që është vërtet thelbi i reformës në gjyqësor. Pa një vetting të suksesshëm të gjyqësorit nuk mund të ketë një sistem gjyqësor të reformuar për të hetuar politikanët”, thotë ambasadorja Susanne Schutz.

Në një intervistë dhënë për DW, kryediplomatja e Gjermanisë në Tiranë ngre të njëjtën pyetje me të cilën anëtarë të mazhorancës i janë kundërvënë propozimit të opozitës.

“Kush do ta bëjë vettingun politik të familiarëve? Nuk jam e sigurtë se cili do të jetë një institucion objektiv për ta bërë këtë. Ka rreziqe, duhet të shikohet me shumë kujdes dhe duhet të jetë një proces në linjë me rregullimet ligjore”, thotë ajo.

Pastrimin e klasës politike në vend e lidh drejtpërdrejtë me reformën në drejtësi.

“Kur të zgjidhet Këshili i Lartë i Prokurorisë do të bëhet e mundur edhe zgjedhja e prokurorëve të SPAK – Prokuroria e Posaҫme kundër Korrupsinit dhe Krimit të organizuar- që besoj se do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm për të kryer mes të tjerave edhe vettingun e politikanëve”, shprehet Schutz.

Por, si e vlerëson Gjermania procesin vettingun e deritanishëm në drejtësi?

“Deri tani mendoj që procesi po shkon mirë. Një numër i madh gjykatësish dhe prokurorësh kanë dalë jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu. Tani ҫështja është ngritja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të emërojnë gjykatësit dhe prokurorët e rinj për të plotësuar vendet e lira të punës në sistemin e reformuar të gjyqësorit”, deklaron Ambasadorja.

Në të njëjtën intervistë, kryediplomatja gjermane në Tiranë rendit zbatimin e ligjit dhe çështjet e pronës si problematikën kryesore që tremb investitorët e huaj, mes të cilëve edhe gjermanët, që të investojnë në Shqipëri.

“Ka një interes në rritje ndaj Shqipërisë prej bizneseve gjermane dhe mundësive që vendi ofron p.sh. në turizëm. Por krahas këtij interesi bizneset shikojnë me shumë kujdes e vëmendje kushtet. Shqetësimet e tyre kryesore kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, që ka rëndësi vendimtare. Një ҫështje tjetër ku Shqipëria duhet të punojë është ajo e pronës. Gjatë tri dekadave Shqipëria ka nxjerrë rregulla të ndryshme për zhvillimin, kthimin dhe kompensimin e pronave, që kanë ҫuar në rregullime konfliktuale, humbje të sigurisë, gjë që nuk është e rëndësishme vetëm për vetë shqiptarët, por edhe për të huaj, që duan të blejnë tokë dhe të investojnë. Ka hapësira për përmirësim”, mendon ajo.

Ambasadorja thotë se në përmirësimin e klimës në të dy këto fusha problematike për investitorët e huaj do të ndihmojë edhe reforma në drejtësi.

“Ky është edhe thelbi i dizenjimit të kësaj reforme: të reformojë të gjithë sistemin e drejtësisë dhe të sigurojë një drejtësi pa korrupsion dhe ndikim politik. Shpresoj që në përfundim të saj do të ketë një sistem drejtësie tek i cili besojnë të gjithë, investitorë shqiptarë dhe të huaj”, shprehet Susanne Schutz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë