Nëse në përfundim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë arrihet një marrëveshje që prek kufijtë e dy vendeve dhe që nuk miratohet nga Gjermania, Berlini zyrtar do të vendosë bllokadën për të dy vendet në rrugën e integrimit europian.
Politologu dhe analisti gjerman, Bodo Weber thotë se moscenimi i vijave kufitare, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë rajonin është një qëndrim kokëfortë dhe i konsoliduar i Gjermanisë prej vitesh.
Në një intervistë të dhënë për DW, ai fajësoi Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila si ndërmjetësuese në këtë dialog nuk duhej të lejonte që në tryezë të shpaloseshin ide të vjetra.
“Si pasojë e mungesës së reagimit nga Brukseli në këtë dialog janë kaluar dhe po kalohen të gjitha vijat e kuqe. Këto vija po shkelen gjithnjë e më fort dhe Bashkimit Europian nuk reagon. Kjo tregon dobësinë e Brukselit”, deklaroi Weber.
Weber mendon se një zgjidhje mund të gjendet pa qenë nevoja e ndryshimit të kufijve. Për këtë ai kujtoi përparimin e bërë në bisedimet e këtij lloji gjatë vitit 2013.
“Ndryshimi i kufijve nuk është i nevojshëm. Dialogu kishte sukses më 2013-ën, kur Serbia ishte në pozicion që të pranonte se Kosova nuk është pjesë e saj”, deklaron ai.
Për analistin gjerman, tematika e vijës kufitare i intereson vetëm Beogradit dhe jo Kosovës.
“Beogradi po përpiqet ta kthejë situatën para vitit 2013, me idenë e ndërrimit të territoreve”, deklaron ai.
Bodo Weber-in nuk e habit qëndrimi i administratës së Donald Trump mbi këtë temë dhe e interpreton atë si vazhdimësi e përpjekjeve dhe nismave të Presidentit amerikan për të përçarë BE-në dhe gjithë rëndin mbi të cilin është ngritur bota perëndimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.