Politike

Gjermania mund të gjykojë Edmond Cajën, i akuzuar për “krime kundër njerëzimit” në komunizëm

Institucionet gjermane të drejtësisë po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzës për “krime kundër njerëzimit” ndaj Edmond Cajës, ish-drejtues i kampit famëkeq të Qafë-Barit, i paditur në Shqipëri në muajin qershor të këtij viti për të njëjtën vepër penale nga Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit.

Lajmi konfirmohet nga Deutsche Welle. Edmond Caja jeton prej vitesh në Gjermani, ku ka marrë edhe pasaportën gjermane. Padia e ngritur ndaj tij në Shqipëri ishte e para e këtij lloji për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të personave të dyshuar për krimet e komunizmit.

Padia u dorëzua në Gjykatën për Krimet e Rënda nga ISKK në përvjetorin e vrasjes së Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, dy pjesëmarrës në revoltën e Qafë-Barit në maj të 1984. Në këtë periudhë, ky burg drejtohej nga Caja, që ka qenë komandant po aty nga viti 1982 deri në vitin 1989.

ISKK deklaronte se baza e padisë janë ish të përndjekur politikë që kanë vuajtur dënimin në këtë burg. Sipas këtyre dëshmive, Agron Tufa deklaronte se bëhet e qartë se Edmond Caja kishte rol kryesor në terrorin e ushtruar në burgun e Qafë-Barit.

“Të gjithë dëshmitarët sot në cilësinë e viktimës të mbijetuar nga burgu famëkeq politik i Qafë-Barit (1982-1990), e paraqesin komandantin e Togës së Policisë së këtij burgu, Edmond Cajën, si një dhunues sadist, që rrihte, torturonte, gjymtonte e dënonte ish-të burgosurit e pambrojtur. Ai s’i përmbahej aspak ligjit, sepse rrahja dhe torturat atë e argëtonin. Pas shtypjes së revoltës së të burgosurve të këtij burgu Qafë-Bar’ me 22-23 maj 1984, karriera e këtij polici sadist erdhi duke u ngritur”, deklaronte ai.

Edmon Caja. Në sfond kamp-burgu i Qafë-Barit. Gazeta Si, 10 dhjetor 2019

Tufa paralajmëronte gjithashtu se kjo padi do të shoqërohej nga të tjera padi ndaj personave të tjerë të dyshuar për krime të këtij llojit përgjatë viteve të komunizmit. Por, vetë Tufa u dorëhoq duke kërkuar azil politik në Zvicër, duke argumentuar këtë vendim me kërcënimet e shumta që kishte marrë.

Në letrën e bërë publike pak ditë më parë, ish-drejtori i ISKK-së thotë se ish-sigurimi i shtetit është autori i vrasjes së Haxhi Baxhinozit, njëri prej 17 personave që sipas ISKK kanë dëshmuar kundër Edmond Cajës. Baxhinozi u vra në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë më 16 mars të këtij viti në prani të djalit të tij. Por, policia tha në atë kohë se ish i përndjekuri ishte vrarë për t’u grabitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë