Politike

Agron Tufa: Ambasadat më braktisën. Në administratë rreth 3 mijë ish-sigurimsa

Në një intervistë dhënë për Deutsche Welle, Agron Tufa, ish-drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, që ka kërkuar azil në Zvicër, thotë se në Shqipëri u braktis nga institucionet dhe ambasadat përballë kërcënimit që iu bë atij dhe familjes së tij.

Agron Tufa i tha Deutsche Welle-s se ai në fillim të nëntorit i kishte raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore.

"Unë u kam dërguar të gjitha ambasadave kryesore në Tiranë, përfshirë edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, një raport me 16 faqe me një kronologji të kërcënimeve të mia, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, deklaroi ai.

Deutsche Welle thotë se kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e cila i ka kthyer përgjigje duke deklaruar se "Ambasada gjermane në Tiranë ka qenë në kontakt me personin në fjalë në funksionin e tij si drejtues i Institutit në fjalë. Deri tani nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”.

Në të njëjtën intervistë, Tufa thotë se veç ambasadave u braktis edhe nga institucionet shqiptare, as për kallëzimet personale për kërcënim dhe as për hetimet në lidhje me kallëzimin e bërë nga ISKK kundër Edmond Cajës, ish-drejtor i burgut të Qafë-Barit për krime kundër njerëzimit.

"Mua nuk m’u pergjigjën asnjëherë, as kallëzimeve private, e as nuk morëm përgjigje për kallëzimin e Cajës te Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse u ankuam dy herë”, i tha Tufa DW.

Kërcënimet e shumta që i vinin si mesazhe, Agron Tufa i ka publikuar në mediat sociale, ndërsa Deutsche Ëelle thotë se Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk i ka kthyer përgjigje nëse Tufa ka pasur nevojë për mbrojtje apo jo.

Në këtë intervistë Tufa përsërit se vala e kërcënimeve filloi në prill të këtij viti, kur një grup politikanësh dhe intelektualësh, sipas tij, të lidhur me regjimin e vjetër komunist donin t'i merrnin Institutit të drejtën për të pasur si objekt studimi edhe krimet e bëra nga komunistët në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Tufa thotë se ky kufizim është përdorur si pretekst, pasi në të vërtetë shkaku i luftës kundër tij ka qenë kërkesa e bërë nga Instituti që drejtonte në drejtim të të gjitha institucioneve shtetërore për të marrë informacione mbi numrin e ish-oficerëve të famëkeqit Sigurimi i Shtetit që janë ende pjesë e stafit të tyre. Ai akuzon se në administratë ka shumë ish-punonjës të sigurimit, madje në nivele të larta të institucioneve, deri edhe tek organet që po merren me drejtësinë.

"Dy institucione iu përgjigjën pyetjes sonë dhe doli që aty ishin nja 12 oficerë të sigurimit. Ata janë ende në pozicione super të rëndësishme, dy syrësh pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), e cila aktualisht merret edhe me vettingun në Shqipëri”, citohet Tufa.

Sipas Tufës, numri i ish-sigurimsave në administratën e Shqipërisë mendohet të jetë rreth 3000.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë