Politike

Gjermania kundër djegies së mandateve: Futuni në zgjedhjet lokale

Christian Hellbach, i Ngarkuari për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s dhe Thomas Ossowski, i Ngarkuari për Politikat e BE-së pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë kanë mbyllur të premten në mbrëmje vizitën në Tiranë.

Para largimit nga Shqipëria ata kanë publikuar një deklaratë, ku theksojnë rëndësinë e protestave në një shtet demokratik, por për këto të fundit nënvizojnë se duhet të mos jenë të dhunshme.

Gjithashtu, në emër të qeverisë gjermane ata kanë ripërsëritur qëndrimin se djegia e mandateve parlamentare në bllok nga deputetët e opozitës është një vendim i gabuar.

Dy politikanët gjermanë kanë zhvilluar takime me Presidentin e Republikës Meta, Kryeministrin Rama, Ministrin e Brendshëm Lleshaj, Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Cakaj si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike  Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Tema e bisedave ishte situata aktuale e politikës së brendshme pas dorëzimit të mandateve nga opozita. I kemi dëgjuar me vëmendje argumentet e të gjitha palëve. Debatet dhe përballjet politike janë të dëshiruara në çdo demokraci. Dhe: E drejta për të protestuar është një element i rëndësishëm i kushtetutshmërisë demokratike. Por dhuna është e papranueshme, - thuhet në një deklaratë të shpërndarë për mediat. -Është detyra e të gjithë deputetëve të zgjedhur, pikërisht në parlament, me angazhim dhe në mënyrë konstruktive, të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe të arrijnë rezultate konkrete. Shqipëria është, p.sh. në reformën e drejtësisë, në rrugë të mbarë. Kurse bojkoti i parlamentit dhe sidomos dorëzimi i mandateve është për ne i gabuar”.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme gjermane, u bëjmë thirrje të gjitha partive të tregojnë përgjegjësi përkundrejt zgjedhësve të tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor. 

“Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it,- të cilat u drejtohen si pushtetit ekzekutiv ashtu edhe atij legjislativ, kanë bërë të qartë, se në cilët sektorë duhet të përmirësohet ende sistemi zgjedhor shqiptar. Qeveria Federale është angazhuar prej muajsh tanimë, që reforma zgjedhore të shkojë përpara dhe ka financuar ndër të tjera punën e ekspertëve të pavarur për këtë qëllim, - shpjegohet në deklaratë. - Shqipëria duhet të zhvillojë instrumente efektivë për të parandaluar mashtrimet në zgjedhje dhe blerjen e votave  si dhe për të ndjekur në mënyrë të vendosur çdo moment dyshimi”.

Në lidhje me akuzat e opozitës, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të kaluara, zyrtarët gjermanë thonë se duhet të verifikohen dhe përpunohen nga drejtësia dhe parlamenti në përputhje me procedurën e parashikuar për këtë.

“Duhet të garantohet besimi i pakufizuar i qytetarëve në forcën e votës së tyre! Por kjo arrihet vetëm me një parlament funksional. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive, të punojnë në mënyrë konstruktive për reformën zgjedhore. Akuzat, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të kaluara, duhet të verifikohen dhe përpunohen nga drejtësia dhe parlamenti në përputhje me procedurën e parashikuar për këtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë