Mengjesi

Gjermania, kredi 168 mln euro për energjinë, ujërat dhe mbetjet

Gjermania është kthyer në donatorin më të madh të Shqipërisë, duke siguruar një mbështetje të madhe financiare për vendin tonë, në veçanti për projekte që lidhen me menaxhimin e energjisë dhe ujit. Berlini zyrtar ka dhënë se fundmi 168 milionë euro në fonde, në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë.

Grupi bankar gjerman KfW dhe GIZ do të jenë në ballë të kësaj përpjekjeje gjatë dy viteve të ardhshme.

Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schutz, theksoi përpjekjet e Shqipërisë për t'u bashkuar me BE, duke shtuar se bashkëpunimi dhe mbështetja financiare nga Berlini është dëshmi e interesit të palës gjermane për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

"Ndihmat ekonomike tregojnë angazhimin e madh që qeveria federale gjermane ka treguar ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian. Për 30 vitet e fundit ne kemi qënë gjithmonë pranë Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm", tha diplomatja gjermane.

"Gjermania jo vetëm që siguron ndihmë financiare, por gjithashtu vepron si një konsulent. Ne e inkurajojmë Shqipërinë që të bëjë reformat e nevojshme, veçanërisht në fushat e Drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", tha Susanne Schutz, duke theksuar se vendi ynë nuk ka shumë kohë, pasi vendimi për të ardhmen europiane pritet të merret në 2019. 

Susanne Schutz

Grupi bankar gjerman, KfW do të ofrojë një hua prej 100 milionë euro për investime në fushat e prodhimit të energjisë elektrike dhe të menaxhimit të ujit, pasi sipas tij industria e energjisë në Shqipëri po “vuan”.

Kontributi gjerman në rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë që ka filluar në fakt që në vitet '80. Si rezultat, Berlini ka dhënë deri më tani 1 miliardë euro Fokusi i fondit të ri këtij fondi do të jetë edhe përmirësimi i jetës së njerëzve, ndihmesa për integrimin në BE dhe disa projekte rajonale.

Fondi që Qeveria Federale do t’i lëvrojë Shqipërisë për periudhën 2019 -2021, është dakordësuar në përfundim të bisedimeve qeveritare mes dy vendeve për politikat në zhvillim. Bisedimet u zhvilluan në Tiranë, të kryesuara për palën shqiptare nga Ministri i Finanacave, Arben Ahmetaj, dhe palën gjermane nga Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider.

Në një njoftim për shtyp nga Ambasada Gjermane në Tiranë, bëhet e ditur që krahas fondit të përmendur më lart, Banka Gjermane për Rindërtim, KfË, do të lëvrojë, për Ministrinë e Financave në Shqipëri, një kredi prej 100 milionë eurosh. Prej korrikut 2016 Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë 102,5 milionë euro, duke u shndërruar në donatorin e saj më të madh bilateral.

Gjermania do të lëvrojë fondin prej 168 milionë eurosh për projekte të përbashkëta gjermano-shqiptare në sektorët e energjisë, ujësjellës-kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit ekonomik. Por edhe për zgjerimin e bashkëpunimit me vendet fqinje në kuadër projektesh rajonale, që lidhen me procesin e integrimit evropian, luftën kundër krimeve të rënda, pastrimin e detit dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Drejtori i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Schattenschneider, është shprehur, se është e rëndësishme që, nga njëra anë të përmirësojë në mënyrë konkrete kushtet e jetesës së njerëzve me projekte në furnizimin me energji dhe ujë, dhe nga ana tjetër të zhvillojë institucionet shqiptare duke i bërë të afta për në BE. Gjithashtu Gjermania kontribuon që Shqipëria të përballet me sfidat së bashku me fqinjët e saj, që brezat e ardhshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor të trashëgojnë perspektivën për një jetesë të mirë dhe në paqe.”

Mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik është më tepër se fondet financiare. Ambasadorja gjermane Susanne Schütz vuri në dukje seGjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde financiare të shumta dhe ekspertizë profesionale. “Ne, inkurajojmë Shqipërinë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e nisur të reformave, veçanërisht atë në sektorin e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pritje të vendimmarrjes së BE-së pranverën e vitit të ardhshëm lidhur me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, duhet thënë se nuk ka kohë për të humbur”, deklaroi ajo për “DW”.

Gjermania, donatori më i madh bilateral i Shqipërisë

Ky vit është viti i 30 vjetorit të marrëdhënieve ekonomike për zhvillim Gjermani-Shqipëri. Gjermania ishte vendi i parë, që lidhi marrëdhënie të bashkëpunimit për zhvillim me Shqipërinë në vitin 1988. Që atëherë dhe deri më sot Gjermania ka vënë në dispozicion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë rreth 1 miliardë Euro, duke u bërë vendi donator më i madh bilateral i Shqipërisë. Pjesa më e madhe e projekteve zbatohen përmes GIZ-së dhe KfË, por edhe përmes organizatave joqeveritare dhe fondacioneve politike gjermane Konrad Adenauer, Friedrich Ebert dhe Hanns Seidel. Bashkëpunimi për Zhvillim është fokusuar kryesisht në energji, ujë, ujësjellës, mbetje, arsimi professional, mbështetje e sipërmarrjeve të reja, nxitje e zhvillimit rural e përshtatjee legjislacionit ekonomik me Acquis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë