Lajme

Gjermania kërkon dialog për krizën: Zgjedhjet edhe mund të shtyhen

Partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani, CDU/CSU, i kanë bërë thirrje palëve politike në vend që të vijojnë dialogun për të zgjidhur krizën politike.

Në një deklaratë të përbashkët, dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, shprehin shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën.

Ata shprehen se “për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise”.

Sa i përket protestave të opozitës, në deklaratë thuhet se ato janë shprehje e pakënaqësisë së shumë qytetarëve, ndërsa apelohet për reagime paqësore. Sipas tyre, kjo situatë politike mund të mbyllë rrugët drejt Europës, ndaj nevojitet një zgjidhje.

“Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës”, vijon deklarata.

Gjermania shprehet e hapur për të ndihmuar Shqipërinë në këtë pikë ku nënvizohet se “ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë”.

Ndërkohë, sa i përket një prej çështjeve më të nxehta, mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën, CDU/CSU e sheh këtë si problematike në aspektin demokratik.

Për më tej, partitë e koalicionit në Gjermani, shprehen se nëse do të jetë e nevojshme, si masë e jashtëzakonshme të merret parasysh edhe shtyrja e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë