Rend dhe Ligj

Gjermania dhuron 7 automjete për policinë shqiptare

Ministria e Brendshme Federale gjermane i ka dhuruar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit 7 automjete të markës Mercedes Benz Sprinter që kapin shifrën 327.000 euro.

Këto automjete, të loguara dhe të pajisura me sinjalistikë policie do të jenë në përdorim nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë.

Kryepolici Ardi Veliu gjatë fjalës së tij tha se ceremonia ka dyfish rëndësi dhe vlerë, pasi sot Policisë së Shtetit i jepet një tjetër mbështetje në logjistikë, një mbështetje shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për të përmbushur detyrat e saj.

Veliu ndër të tjera tha se “Policia e Shtetit, sidomos vitet e fundit, është mbështetur fuqishëm, qoftë nga BKA-ja, ashtu edhe nga Policia Federale, por edhe nga qeveria gjermane, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, mbështetje kjo në logjistikë, trajnime, shkëmbim eksperiencash, në operacione policore të përbashkëta, qoftë me Policinë Kriminale, ashtu edhe me Policinë Kufitare”.

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf në fjalën e tij tha se tashmë me këto mjete mund të arrihet më shpejt në vendin e ngjarjes.

“Me këto mjete tani jeni në gjendje të reagoni në mënyrë moderne ndaj situatave të ndryshme. Duam të bëjmë edhe një hap tjetër përpara, do të dërgojmë trajnues nga policia gjermane. Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë dhe t'ju mbështesin më tej.  Ne jemi prezent në Shqipëri duke qëndruar partner edhe në çështjet e sigurisë”, u shpreh ambasadori gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë