Lajme

Gjermania, 10 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri

Ministria Federale Gjermane e Ekonomisë Bashkëpunimit dhe Zhvillimit (BMZ) financon për bujqësinë shqiptare 10 mln euro. Investimi synon të përmirësojë kushtet për mundësi të qëndrueshme të gjenerimit të të ardhurave në zonat rurale.

Grupi i synuar i programit SRD është popullsia rurale e Shqipërisë, të cilët janë fermerët dhe ose drejtojnë ndërmarrje të vogla dhe kanë potencialin sipërmarrës për ta bërë këtë, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, përfshirë edhe të kthyerit nga emigrimi.

Zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi, u shpreh se ky projekt është shumë i rëndësishëm për zonat rurale të vendit.

“2 milionë euro për fazën e parë janë një ndihmë shumë e madhe për ata që jetojnë në zonat rurale dhe për krejt ekonominë tonë kombëtare, pasi krijon një perspektivë të re për zhvillimin e sektorit bujqësor.”- u shpreh Gjeçi, duke shtuar se “ Shtesa prej 8 milionë euro që do të miratohet së shpejti, pritet të krijojë një impakt më të madh në këtë projekt dhe të zgjerojë gamën e ndërhyrjeve që ne duam të bëjmë. Diversifikimi ekonomik në zonat rurale dhe rritja e konkurrencës në sektorin e bujqësisë dhe turizmit, do të gjenerojnë më tepër vende pune dhe të ardhura shtesë për ata që jetojnë në fshat”.

Sipas saj programi ka vlerë të shtuar faktin që fokusohet ndër të tjera edhe tek të rinjtë që kanë investuar në sektorin rural, duke krijuar apo menaxhuar ferma ose pika agroturizmi.
Programi do të zgjasë deri në dhjetor 2022 dhe zbatohet nga GIZ me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) si partnerë kryesorë zbatues. Programi është financuar nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (BMZ).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë