Bota

Gjermani, Merkel nën akuzë për pezullimin e vaksinës Astrazeneca

Shtatë raste të mpiksjes së gjakut, tre prej të cilave fatale, nga 1.6 milionë doza të vaksinës AstraZeneca të administruara në Gjermani, motivuan vendimin e qeverisë gjermane për të bllokuar përdorimin e vaksinës anti-Covid të kompanisë anglo-suedeze në të gjithë territorin federal.

Kjo shpjegohet nga Klaus Cichutek, president i “Paul-Ehrlich-Institut”, shefi i agjencisë farmaceutike në Gjermani, i cili gjithsesi përpiqet të sigurojë të gjithë ata që kanë marrë tashmë dozën e parë të vaksinës, duke e quajtur atë "të sigurt dhe efektive".

“Ju nuk duhet të shqetësoheni, ju nuk jeni në rrezik. Dhe në çdo rast, ata që janë vaksinuar për më shumë se 16 ditë, nuk kanë pse të kenë frikë”, - tha ai, duke specifikuar se reagimet ndaj vaksinave janë normale dhe vetëm në rastin e dhimbjeve të forta të kokës në ditët e para pas administrimit, duhet të konsultohen me një mjek.

“Detyra jonë, - shpjegoi Cichutek, - është të kontrollojmë edhe shenjat më të vogla të rrezikut. Nuk është për alarm, por masë paraprake”.

Sipas kreut të “PEI”-t, një biokimist, ndërlikimet u regjistruan te gjashtë gra, midis moshave 20 dhe 50 vjeçe, dy prej të cilave vdiqën.

Viktima e tretë ishte një burrë që vdiq nga një hemorragji cerebrale me trombozë.

“Kjo na ka shtyrë të këshillojmë qeverinë të pezullojë injektimet, derisa të kemi analizuar këto sinjale më saktësisht. Gjykimi ynë është ende në pritje”.

Sipas Cichutek, "me sa dimë, këto raste nuk ndodhin me frekuencë të ngjashme në ndonjë nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian".

Sa i përket pasojave të bllokadës së AstraZeneca-s në fushatën e vaksinimit në Gjermani, e cila tashmë po vazhdon ngadalë, Cichutek tha se "nëse zgjat pak më shumë, nuk është problem."

Presidenti i “Paul-Ehrlich-Institut”, megjithatë, e bëri të qartë se nëse do të provohej një lidhje midis vaksinës AstraZeneca dhe trombozës, atëherë "ose duhet të merren masa për të kufizuar rrezikun, ose duhen rishikuar marrëdhëniet midis përdorimit të saj dhe rrezikun e të gjitha vaksinave”.

Vendimi i qeverisë për të pezulluar vaksinën anglo-suedeze, vjen kundër kritikave të forta edhe nga brenda shumicës.

Nën sulm është Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, i akuzuar për lëvizje në një mënyrë të improvizuar dhe pa një plan të vërtetë.

"Një gabim", tha deputeti Karl Lauterbach, epidemiolog i njohur dhe zëdhënës i SPD për Shëndetësinë, sipas të cilit, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të justifikuar masën.

“Do të kishte qenë më mirë të bëjmë kontrollet, së pari duke pasur parasysh formën e rrallë të ndërlikimeve. Ndërsa vala e tretë e pandemisë rritet, një dozë e parë e kësaj vaksine do të shpëtonte shumë jetë”.

Por kritikat gjithashtu kanë filluar të prekin edhe Angela Merkelin, e cila ndërkohë ka vendosur të anulojë konferencën midis qeverisë dhe kryeministrit rajonal, e planifikuar për sot dhe në të cilën do të vendosej fillimi i fushatës së vaksinimit edhe në zyrat e mjekëve.

Kancelarja gjermane qortohet për "qëndrimin fshehur”, të saj, duke urdhëruar ministrin Spahn të njoftojë një vendim kaq serioz dhe delikat sa pezullimi i vaksinës AstraZeneca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë