Treg

Gjermanët ruajnë gjenet e perimeve autoktone shqiptare që nga viti 1941

Që kur shkencëtari gjerman Hans Stubbe mblodhi 355 kampione farërash për drithërat e bishtajorët në vitin 1941, të cilat më pas i çoi në Institutin e Gjenetikës në Gjermani, banka e gjeneve agrobiodiversitetit shqiptar është rritur vit pas viti duke arritur në ditët e sotme në 4105 kategori, sipas një studimi të posaçëm nga koperacioni gjerman.

Banka e gjeneve rreth 3,219 kategori i mban si farëra nën ruajtje afatgjatë, ndërsa rreth 886 lloje pemësh ruhen dhe mbahen në terrene të hapura.

Rigjenerimi i gjeneve është mision i autoritetit kombëtar, i cili i ka të koleksionuara trashëgiminë gjenetike edhe në gjuhën shqipe.

Aktualisht nga 3.200 konservimet afatgjata të farërave, rreth 10% janë rigjeneruar, por rreth 50% e tyre duhet të rigjenerohen.

Konservimi dhe menaxhimi në fermë i burimeve gjenetike të bimëve është i përqendruar vetëm në disa ferma që synojnë të testojnë varietetet për kapacitetet e tyre të prodhimit dhe përmirësimin e teknikave të kultivimit.

Të dhënat e raportuara tregojnë se aktivitetet e menaxhimit të gjeneve në ferma kanë qenë kryesisht për perime lokale për konsum familjar dhe shitjen e tregut, në komunitetet e rajonit të Korçës dhe të zonën e Alpeve të Shqipërisë, kryesisht qepë, lakër, pjepër, piper, domate, kungull, marule, leh, hudhër dhe fasule.

Rreth 170 fermerë janë angazhuar për mbjelljen e kulturave tipike gjenetike shqiptare.

Pas analizimit të gjetjeve të studimit që përfshiu periudhën 2011-2014 në rajonin e Korçës, për ruajtjen në fermë dhe përdorimin e qëndrueshëm të kultivarëve tradicionalë sugjerohen pesë mënyra:

a) Promovimi i produkteve;
b) konsolidimi i tregjeve të specializuara që përdorin në mënyrë efikase cilësitë e tyre organoleptike;
c) krijimin e vetëdijes për potencialet e kultivarëve tradicionalë;
d) restaurimi dhe ripërtëritja e kultivarëve tradicionalë përmes proceseve të përmirësimit të kulturave;
e) subvencion për ruajtjen në fermë dhe menaxhimin e racave vegjetale, sepse konservimi dhe menaxhimi i tyre duhet të konsiderohet si një shërbim që duhet të shpërblehet nga shoqëria.
Rrjeti për ruajtjen e fermave, nuk arriti të krijojë marrëveshje të qëndrueshme institucionale. Për rrjedhojë, konservimi në fermë është i organizuar në mënyrë vullnetare vetëm nga fermerët.

Edhe pse fermerët në shumë zona të vendit (sidomos në zonat e largëta) kultivojnë kultura lokale, ata dinë shumë pak për vlerat e këtyre kultivarëve.

Gjithashtu, anketat tregojnë se nuk ka aktivitete që lidhen me vlerësimin e varieteteve lokale për shfrytëzim dhe menaxhimin apo e leverdinë ekonomike të tyre.

Në përgjithësi, kultivimi dhe shumimi i varieteteve të kulturave lokale është pjesë e një tradite të ruajtur në disa zona malore të largëta të cilat karakterizohen nga mungesa mekanizimit bujqësor. Ruajtja dhe shumëfishimi i kulturave lokale bujqësore kryhet spontanisht nga fermerët, në përgjithësi pa asnjë mbështetje nga institucionet ose projekte specifike, me përjashtim të misrit dhe fasuleve specialistët rajonal në Korçë.

Qeveria shqiptare po promovon bujqësinë organike dhe sipërfaqja e kësaj fushe është rritur gjatë dhjetë viteve të fundit. Kjo në njëfarë mase zgjeron diversitetin e varieteteve dhe tipareve lokale të përdorura në bujqësi.

Ekspedita e parë e grumbullimit në territorin shqiptar u organizua në vitin 1941, e udhëhequr nga shkencëtari Hans Stubbe, kryesisht për të studiuar drithërat dhe bishtajoret. Kampionet e mbledhura rreth 355 u dërguan për ruajtje në Institutin e Gjenetikës së Bimëve dhe Kërkimeve të Bimëve (IPK) në Gjermani. Informacioni për këto kampione është aktualisht në dispozicion nga baza e të dhënave iPK.

Aktivitetet e para të organizuara dhe të mbështetura nga qeveria e kohës u ndërmorën gjatë periudhës 1950-‘60 nga Instituti i Kërkimeve Bujqësore e Lushnjës. Shumë varietete lokale të grurit, elbit, tërshërave, misrit, bishtajoreve, etj., u mblodhën, me të cilat u krijuan koleksionet e para të kulturave bujqësore. Vetëm për grurin, misioni i vitit 1956 grumbulloi 24 varietete lokale.

Në fillim të viteve 1970, Universiteti Bujqësor i Tiranës nën udhëheqjen e profesor Përmetit, organizoi disa misione kërkimore dhe grumbulluese të varieteteve autoktone. Rreth 220 lloje të reja u grumbulluan kryesisht misër dhe fasule

Në periudhën 1970 – 1980, disa misione grumbullimi u kryen nga Instituti i Shkodrës, Instituti i Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës, i Duhanit në Cërrik dhe Instituti i Kërkimeve për Frutat në Vlorë.

Gjatë këtyre misioneve u mblodhën më shumë se 2,000 kampione gjenetike.

Pas rënies së regjimit komunist, 6 misione me shkencëtarë nga Europa zbarkuan në Shqipëri për të grumbulluar lloje të ndryshme gjenetike të cilat mund të rrezikoheshin nga hapja e ekonomisë. Të 14 shkencëtarët mblodhën 1.136 kampione nga 210 vende në Shqipëri.

Marrë nga revista "Monitor"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë