Para

Gjendja jo e mirë financiare/ Bankat dhanë më pak kredi në fund të 2023

Nga Gazeta 'SI' - Bankat tregtare në vend nuk i ndryshuan kushtet e kreditimit për bizneset as gjatë tremujorit të fundit të 2023-shit, por tendenca është drejt shtrëngimit. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë kjo ka ndodhur për të gjitha llojet e bizneseve dhe i atribuohet shtimit të konkurrencës midis bankave.

Gjithsesi, ndonëse kërkesa për kredi u shtua si pasojë e nevojës së lartë në financimin e investimeve dhe të inventarëve e kapitalit qarkullues, shkalla e miratimit të tyre ishte më e ulët. Kjo sepse bankat kanë perceptuar rrezik për gjendjen financiare të bizneseve.

Bankat tregtare e anketuara nga BSH presin një farë lehtësimi në tremujorin e parë të 2024-s për biznesin e vogël dhe të mesëm. Ndërkohë, ato priten të shtrëngohen disi në kreditë për bizneset e mëdha, si edhe në kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditet. Edhe kërkesa për kredi pritet të jetë e lartë.

Nga ana tjetër, kreditimi i individëve u lehtësua nga bankat, si për konsum ashtu edhe për blerje banesash.

Faktorët kryesorë që mbështetën lehtësimin ishin trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar dhe perceptimi i bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësve.

Edhe pse kërkesa për kredi u raportua e lartë në fund të 2023-shit, bankat miratuan më pak. Raporti më i lartë i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit kryesisht nga faktorët që reflektojnë historikun e kreditit për individët, të tillë si historiku i marrëdhënieve me bankën dhe i regjistrit të kredive.

Në tremujorin e parë të vitit 2024, bankat presin që kërkesa për kredi nga individët të jetë sërish e lartë, si në  financimin e konsumit, ashtu edhe në blerjen e banesave, por parashikojnë shtrëngim të standardeve. Sidomos për kreditë hipotekore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë