Politike

Gjekmarkaj: Lulzim Basha si Enver Hoxha, i mban të gjitha postet për vete. Përjashtoi ata që nuk i ka

Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj e ka krahasuar Lulzim Bashën me Enver Hoxhën, duke thënë se ky i fundit ishte ai që ka mbajtur disa nga postet kryesore të shtetit, duke bërë paralelizëm me postin që kreu i PD mori me ndryshimin e statutit sot, atë të kryetarit të Grupit Parlamentar.

Në një reagim, Gjekmarkaj nuk i kurseu ironitë, teksa mes të tjerash thotë se mbledhje e Kuvendit Kombëtar nga Basha ishte si një “festë syneti”, ku “përjashtoi në mënyrë imagjinare ata që nuk i ka”.

Gjekmarkaj shton se PD duhet të bashkohet që të filloje rritjen dhe se ka nevojë për garë dhe institucione të vërteta, përndryshe do t’i “mbetet vetëm e kaluara si kujtim dhe copat aktuale si fosile në xhepat e rrënuesve të panginjur e të pa cipë”.

Reagimi i plotë:

Enver Hoxha i pat mbajtur për disa vjet postet kryesore të shtetit dhe të Partisë. Sekretar i Parë, Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes.

Pas vitit 1952 edhe ai hoqi dorë e mbajti vetëm atë të Sekretarit të parë. Në një “festë syneti” sot Lulzim Basha i cili foli për hapje të shoqatës së tij, u shpall i përjetshëm, i përgjithshëm dhe mori per vete një mori postesh imagjinare.

Pastaj fap e fap përjashtoi po në mënyrë imagjinare ata që nuk i ka. I paaftë që të turpërohet pas 18 vitesh në politikë foli për politikë të re kundër së vjetrës.

Kërkoi ndjesë. Kujt!? Kush do t’ja dijë për ndjesën e tij! Foli për emerime të gabuara që paskësh bërë. Ai na doli shakaja më e madhe dhe emërimi më fatkeq i Sali Berishës.

E zgjodhi të ngratin, duke prishur garën dhe injoruar kontributet në PD për veset jo për virtytet, me konceptin e kontrollit total mbi të e të partisë pronë. Ia futi si kurrkush, si skuth që pret çastin, i pazoti për të bërë betejën e ndarjes me kulturën politike, pa pasur kurrë një projekt. Flet për njerëzit, për demokratët, pasi iu pegërën investimin, mundin për karrigen dhe pasuritë e tyre.

Pa u skuqur, pa u zverdhur, me lëkurën si shollë kepuce, i rrejtën për hallet e tyre orë e çast.

PD duhet të bashkohet, që të fillojë rritjen, të debojë mentalitetin punist të liderëve dhe ushtarëve të përjetshëm. Ajo ka nevojë për garë dhe institucione të vërteta të cilat i japin asaj lidership fitues, përndryshe do t’i mbetet vetëm e kaluara si kujtim dhe copat aktuale si fosile në xhepat e rrënuesve të panginjur e të pacipë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë