Njerez

Gjashtë femrat mafioze më famëkeqe në histori

Nga Gazeta Si - Imazhi i mafiozit është i lidhur kryesisht me atë të burrave. Tradicionalisht, krerët e krimit të organizuar i linin gratë në rolin e bashkëshortes, nënës apo në rastin më të mirë të kriminelit të nivelit të ulët. Por dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar. Në Itali, goditja e fortë që i dhanë autoritetet mafies nga vitet 1980 e tutje, ka bërë që shumë mafiozë burra të përfundojnë në burg, duke ua kaluar pasurinë por edhe kontrollin e zonave grave dhe vajzave të tyre.

Vetëm në Itali, megjithëse gratë përbëjnë vetëm 2.5 të të burgosurve që dërgohen me burg për krime të lidhura me mafian, ato kontrollojnë rreth 1/3 e të gjitha burimeve financiare të mafies. Megjithatë, kanë ekzistuar një sërë mafiozesh femra, që ishin po aq të pamëshirshme, djallëzore dhe të guximshme sa edhe homologët e tyre meshkuj. Këtu janë 6 nga më të famshmet.

1. Ma Barker (1893-1935)

E cilësuar nga kreu legjendar i FBI-së J.Edgar Huver si “mendja kriminale më e egër, e rrezikshme dhe më e shkathët e dekadës së fundit”, Arizona Barker ishte e njohur për grabitjet e saj të dhunshme në autostrada. Ajo vepronte shpesh bashkë me bashkëshortin e saj George dhe 4 djemtë e saj Herman, Lloyd, Arthur dhe Fred.

Ma Barker dhe dy prej djemve të saj.

Si themelues të bandës famëkeqe Barker-Karpis, grabitjet e familjes Barker, tërhoqën shumë shpejt vëmendjen e medias dhe publikut. Në vitin 1927, policia arriti që t’i rrethonte. Herman vrau veten për të shmangur arrestimin. Ndërkohë 3 vëllezërit e tij dhe bashkëshorti i Ma Barker përfunduan në burg. Pas lirimit të Fred në vitin 1931, nënë e bir nisën sërish një valë të re grabitjesh. Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Florida në vitin 1935.

2. Virginia Hill (1916-1966)

E lindur në varfëri në Alabama, Virginia Hill do të bëhej një pastruese parash, korriere, trafikante heroine dhe informatore e lidhur me bandat. E njohur ne nofkën Flamingo, ajo ishte e dashura e mafiozit nga Bruklin, Bugsy Siegel. E njohur për përdorimin e karizmës dhe pamjes së saj simpatike për të arritur marrëveshje të ndryshme, ajo fitoi famë dhe pasuri duke punuar si llogaritare për Al Caponen, dhe duke kryer punë për banda të ndryshme.

Por gjërat ndryshuan kur Siegel u vra në një atentat, ngjarje që e bëri atë më pak të dobishme. Borxhet e saj të mëdha, të kombinuara me të kaluarën e saj kriminale e detyruan që t’i shmangej autoriteteve. Ajo u gjet e vdekur në vitin 1961 nën një borëpastruese, me gjasë për shkak të një mbidoze të ilaçit të gjumit. Edhe pse disa spekulojnë se ishte një vrasje me pagesë.

3. Stephanie St.Clair (1897-1969)

Edhe pse metodat e saj mund të ishin të dhunshme, Stephanie St. Clair e mbrojti lagjen e saj në Harlem, luftoi për të drejtat e komunitetit afro-amerikan, dhe luftoi ndaj policive të korruptuar. Ajo hyri në një aleancë me mafiozin e famshëm Lucky Luciano për t’u mbrojtur bandat e tjera, siç ishte ajo e drejtuar nga Dutch Schultz.

Ajo pati vazhdimisht probleme me ligjin dhe aktakuza e saj ndaj një numri policësh të korruptuar ishte poshtëruese për Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Më vonë u tërhoq nga aktiviteti, bëri fushatë për të drejtat e afro-amerikanëve dhe vdiq si një grua e pasur në vitin 1969.

4. Griselda Blanco (1943-2012)

Në kulmin e saj në vitet 1970-1980, Griselda Blanco u bë kriminelja e parë miliardere, duke fituar 80 milionë dollarë në muaj nga të ardhurat e trafikut të kokainës nga Kolumbia në SHBA. Një banore e drogës së kartelit Medelin, ajo u quajt “La Madrina” (Kumbara), Vejusha e Zezë, Kumbara e Kokainës dhe Mbretëresha e Narko-trafikut.

Blanco i vrau 3 burrat e saj të parë. Ajo kënaqej duke parë viktimat e saj teksa torturoheshin, madje u dënua për vrasjen e një djali 2-vjeçar. Për të trafikuar kokainën nga Florida e Jugut në Nju Jork, ajo shpiku një palë të brendshme femrash të veçanta. Mendohet se ajo urdhëroi vdekjen e rreth 2.000 njerëzve. Griselda Blanco u qëllua për vdekje në moshën 69-vjeçare, jashtë një dyqani mishi nga një burrë me motoçikletë në Medelin të Kolumbisë.

5. Motra Ping (1949-2014)

E njohur më vonë me nofkën “Kokëgjarpri”, Cheng Chiu Ping ishte udhëheqëse e një grupi kriminal në lagjen kineze të Nju Jorkut. Ajo ishte përgjegjës për trafikimin e rreth 3.000 emigrantëve të paligjshëm nga Kina në SHBA. Përmes një tarife marramendëse prej 40.000 dollarësh për çdo person, udhëtimet 100-ditore nga Hong Kongu në Guatemala dhe deri në Nju Jork ishin shpesh të rrezikshme, duke sjellë vdekjen e shumë njerëzve.

Si pasojë e aktivitete të tilla kriminale në vitet 1980-1990, Motra Ping kishte një pasuri prej 40 milionë dollarësh. Më në fund ajo u kap dhe u dënua për trafik emigrantësh, pastrim parash dhe kontrabandë dhe vdiq në burg në moshën 65-vjeçare.

6. Maria Licciardi (1951-)

Maria Licciardi mori përsipër drejtimin e Klanit Licciardi pasi vdiq i bashkëshorti dhe iu arrestuan vëllezërit. Ajo është gjithashtu një nga themelueset e Aleancës Sekondiljano. Më vonë arriti të bëhej një nga boset më të fuqishme të Camorra-s në Napoli nga viti 1993, dhe derisa u arrestua në vitin 2001.

Maria thirrej me nofka të ndryshme. Pjesëtarët e bandës e quajnë “Kumbara” dhe “Vajza e Vogël”, për shkak të shtatit të shkurtër. Ndërsa në mesin e grave të zonës, ajo thërritej me respekt “Princesha”. Krahas trafikut të drogës, kontrabandës së cigareve dhe vjeljes së gjobave nga biznesi në këmbim të mbrojtjes, Licciardi ishte e para që përfshiu prostitucionin në aktivitetet kriminale të bandës.

Rënia e saj erdhi kur një dërgesë heroine në Napoli ishte shumë e pastër, duke vrarë një numër të madh përdoruesish. Lufta midis bandave që pasoi, i mori jetën rreth 120 njerëzve, ndërsa ajo u burgos. Më vonë ajo u lirua me kusht.

Burimi: HistoryHit. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë