Ky është mendimi i Ilirjan Çules që analizon fillimin e “Giro d’Italia 2025” nga Durrësi për Gazeta “SI”. Ish Sekretari i Federatës Shqiptare të Çiklizmit nuk e fsheh entuziazmin për një mbërritjen e një eventi të tillë në Shqipëri. Ai kujton rininë e tij kur e ndiqte këtë aktivitet nëpërmjet transmetimeve radiofonike. Event që sigurisht kishte ndikimin e tij psikologjik ashtu si edhe sportet e tjera ndërkombëtare. Çiklistët shqiptarë të para viteve ’90 kishin idhujt e tyre përtej Adriatikut, të cilët i ndiqnin rregullisht në eventet që zhvilloheshin.

Për mundësitë minimale dhe nivelin e çiklizmit tonë, ata merrnin pjesë në ture të vogla në Ballkan, ndërsa në evente evropiane dhe botërore konkuronin vetëm në garat kronometër individuale pasi në garat e linjës, ishte e pamundur të arrije kohët dhe paraqitjet e kolegëve të huaj. Në atë periudhë vështirë se mund të mendohej që një ditë “Giro d’Italia” do të zbarkonte në Shqipëri. “Do të jenë ditë historike që nuk duhen humbur në asnjë mënyrë” – thotë Ilirjan Çule. “Duhet të jemi të gjithë të përfshirë, që nga njerëzit e thjeshtë deri tek drejtuesit më të lartë të vendit, pa lënë mënjanë Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Në çdo dyqan apo ballkon të qyteteve ku do të kalojë pelotoni (grupi i çiklistëve pjesëmarrës) duhet të ketë elementë dekorativë në ngjyrë rozë që personifikon vetë eventin” – vazhdon Çule.

Ai vë theksin tek përfitimet turistike, kulturore dhe artistike që do të ketë vendi ynë që do të jetë në ekranet evropiane dhe botërore gjatë tre ditëve që “Giro” do të zhvillohet në Shqipëri. Ndërsa tërheq vëmendjen për gjëndjen e vështirë që po kalon çiklizmi vendas – “Ka rënë ndjeshëm numri i sportistëve dhe nuk e kuptoj se çfarë bëjnë drejtuesit e Federatës sonë. Organizohet një tur çiklistik me pjesëmarrës të huaj, por nuk bëhet asgjë për zhvillimin e çiklizmit në Shqipëri. Nuk mbaj mend që çiklistët tanë të kenë marrë pjesë në turet e vendeve që ftohen të garojnë në Shqipëri”

Çule kujton – “Dikur merrnim pjesë në Turin Presidencial të Turqisë dhe kemi përfunduar vetëm 4” sekonda pas ekipit rus dhe çiklistët shqiptarë si Tafili, Sykja, Paja etj, dominonin për ditë me rradhë sidomos etapat malore. Në ditët e sotme gjithçka duket se i është lënë rastësisë dhe nuk ka asnjë strategji, projekt dhe inisiativë për përfshirjen e të rinjve në çiklizëm. Biçikleta është një mjet që përdoret nga fëmijëria e deri në moshën e tretë, ndaj duhet të bërë më shumë për masizimin e saj” – mbyll prononcimin e tij Ilirjan Çule
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.