Drejtësia

‘Gërdeci’, shtyhet seanca për Fatmir Mediun. GJKKO nuk pranon familjarët e viktimave si palë në çështje

Gazeta Si - Për shkak të kërkesës së familjarëve të viktimave, të cilët kërkonin të ishin palë në çështje, është shtyrë edhe këtë të enjte seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen "Gërdeci”.

Seanca paraprake do të zhvillohej sot për të vendosur nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim, por GJKKO nuk ka pranuar që familjarët e viktimave të jenë palë në këtë proces.

Seanca paraprake e radhës do të mbahet më 4 prill ora 14:30. Ndërkohë, avokati i familjes Durda, Dorian Matlia tha për mediat se edhe familjarët e viktimave duhet të jenë pjesë e procesit.

LEXO EDHE:
- Dosja 'Gërdeci', Fatmir Mediu merret i pandehur: Jam i pafajshëm, akuzat janë politike. Asnjë provë shtesë
- Shkëlzen Berisha mohon akuzat në SPAK për 'Gërdecin': Në Ministrinë e Drejtësisë takoja miq, s'kam lidhje me shkresën e Bumçit (video)

Të pranishëm në GJKKO, të shoqëruar nga avokati i tyre, ishin Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën djalin e tyre 7 vjeçar në shpërthimin e Gërdecit në 15 mars 2008.

Pas kërkesës së familjarëve, Gjykata ka kërkuar kohë dhe kështu u vendos që seanca të shtyhet pas 12 ditësh. Në seancën e kaluar, që u mbajt më 8 mars, çështja u shty për shkak të mungesës së prokurorëve. 

Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes do të kërkojnë pushimin e çështjes, pasi ata e konsiderojnë të parashkruar. Në rast se çështja nuk pushohet, avokatët do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Janë dy vepra penale për të cilat akuzohet deputeti i Parlamentit Mediu, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimi i detyrës në kuadër të kodit ushtarak, për të cilën tashmë do të përballet në Gjykatë.

Por përveç shpërdorimit të detyrës, sipas SPAK, kreu i PR-së është nën hetim edhe për dy akuza të tjera, ku është vendosur ndarja e çështjes: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në lidhje me dosjen "Gërdeci".

Nga ana tjetër, Mediu herën e fundit që ishte në SPAK, iu komunikuan akuzat zyrtare. Ai u shpreh se këto akuza janë të gjitha  të montuara ndaj tij dhe e gjithë çështja po përdoret për ta goditur atë politikisht.

SPAK e dorëzoi dosjen kundër ish-funksionarit, duke kërkuar gjykimin e tij, pasi dyshon se ish-ministri bashkëpunoi me zyrtarë të tjerë, duke nxjerrë akte nënligjore që dëmtuan shtetin në favor të kompanive SAC dhe Albademil, që të dyja të nënkontraktuara për demontimin e municioneve në Gërdec.

Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por fati i ish-ministrit do jetë në duart e gjyqtarit paraprak që pritet ta kalojë çështjen në gjykim themeli.

Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe jo vetëm, midis tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha.

Në15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë