Drejtësia

Shkëlzen Berisha mohon akuzat në SPAK për ‘Gërdecin’: Në Ministrinë e Drejtësisë takoja miq, s’kam lidhje me shkresën e Bumçit (video)

Gazeta Si - Shkëlzen Berisha ka qëndruar për rreth një orë në SPAK këtë të enjte, pasi është pyetur si person në dijeni për hetimet e dosjes “Gërdeci”, ku në vitin 2018 humbën jetën 26 persona.

Ai ka theksuar se është pyetur për një shkresë dërguar nga ish-ministri i Drejtësisë asokohe Aldo Bumçi për ministrinë e Mbrojtjes, ku mes rreshtave ishte edhe emri i djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

LEXO EDHE:
- Ish-ministri Aldo Bumçi dëshmon në SPAK për ‘Gërdecin’: Shkresa për Shkëlzen Berishën, e falsifikuar
- Dosja ‘Gërdeci’, Fatmir Mediu merret i pandehur: Jam i pafajshëm, akuzat janë politike. Asnjë provë shtesë

Berisha u pyet për bisedat edhe me Fatmir Mediun pas shpërthimit të Gërdecit dhe ka thënë se "ka folur për çështje familjare me të dhe nuk i zbulon".

Berisha i ri u shpreh i habitur për faktin që thirret nga Prokuroria e Posaçme, pasi ai nuk ka dijeni dhe ato që çfarë ka pasur për të thënë i ka bërë publike.

“Jam thirrur në cilësinë e një personi që ka dijeni për ngjarjen e Gërdecit. Unë s’kam lidhje me këtë ngjarje, kam përsëritur ato që thënë publikisht. Më bën përshtypje fakti se ë njëjta prokurori 15 vite më parë ka thënë që nuk i sheh të nevojshme këto deklarime”, tha ndër të tjera Shkëlzen Berisha.

Lidhur me shkresën në ministrinë e Drejtësisë, për të cilën dëshmoi në SPAK edhe ish-ministri Aldo Bumçi, Shkëlzen Berisha mohoi të ketë lidhje me të, edhe pse nuk mohoi takimet e zhvilluara në ministrinë e Drejtësisë.

“S’kam asnjë lidhje me shkresën, Prokuroria duhet të thotë pas 15 vitesh kush e ka bërë atë shkrim. Mendoj që padiskutim prokuroria duhet të thotë e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim. Në origjinal nuk ka asnjë shënim të tillë. Që unë të futem në ministrinë e Drejtësisë për të takuar miqtë e mi, nuk do të thotë të marr vendime për VKM”, - u shpreh Shkëlzen Berisha.

Ndër të tjera ai tha se do të vijë në SPAK sa herë Prokuroria e Posaçme ta kërkojë, si një detyrim ligjor, ndërsa u shpreh se nuk ndihet aspak i rrezikuar: “Çështja është politizuar përtej çdo limiti”, - shtoi ai.

Emri i Shkëlzen Berishës doli në media pikërisht për ngjarjen tragjike të 15 marsit 2008, ku një magazinë demontimi armësh shpërtheu, duke shkaktuar 26 viktima dhe qindra të plagosur.

Më herët për këtë çështje është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi. Atij i janë kërkuar shpjegime për një dokument që lidhej me vendimet e qeverisë për fabrikën e demontimit në Gërdec, ku ishte vendosur shënimi “për Shkelzenin”.

Bumçi e ka cilësuar këtë dokument si një falsifikim dhe ka pohuar se sqarimet për këtë çështje i ka dhënë në hetimin e parë të dosjes “Gërdeci”.

Shkresa 'Për Shkëlzenin' dhe historia e faksit të Bumçit

Dokumenti është nisur nga zyra e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes.

Faksi mban datën 13 mars të vitit 2007 dhe është shkresë e dërguar për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.

Faksi i mësipërm, për të cilin ish-ministri i Drejtësisë ngulmon se është i falsifikuar, dyshohet se është protokolluar nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke i dhënë efektshmërinë e plotë ligjore, edhe pse ishte përcjellë nga zyra e ish- ministrit të Drejtësisë nëpërmjet faksit.

Në këtë shkresë, Bumçi shprehet parimisht dakord me draftin për demontimin e municioneve ushtarake, ndërsa i rekomandon kolegut të tij të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit.

Më 14 mars 2007, një ditë pas datës së faksit, Këshilli i Ministrave ka vendosur me iniciativë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu të miratojë vendimin për procedurën e trajtimit të armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi.

Vetëm Fatmir Mediu i pandehur

Më 10 janar 2023, Fatmir Mediut iu komunikua zyrtarisht akuza për ‘Shpërdorim detyre’ nga Prokuroria e Posaçme për tragjedinë e Gërdecit.

Si person i marrë zyrtarisht i pandehur, Mediu është pyetur për 60 minuta, por ai tha se SPAK nuk kishte asnjë provë shtesë dhe se akuzë është e motivuar politikisht.

Mediu shtoi se nuk ka pasur asnjë kontakt me firmën amerikane që merrej me demontimin, teksa sfidoi duke thënë se “Nëse gjejnë një kontakt timin përtej detyrës si ministër, mbaj përgjegjësi maksimale”.

Prokuroria e Posaçme ka hapur çështjen dhe vijon hetimet që prej një viti tashmë, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit.

SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve, humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” dhe fëmijë të zonës.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë