Gazeta Si - Djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të kësaj të enjteje në SPAK në cilësinë e dëshmitarit, i thirrur për çështjen “Gërdeci”.
Ai ka mohuar që të ketë pasur një fletëthirrje për të qenë i pranishëm në seancën për “Gërdecin”. Pas akuzave ndaj SPAK si një institucion i kapur nga kryeministri Edi Rama, Shkëlzen Berisha theksoi se në adresë të tij nuk ka mbërritur ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar!
LEXO EDHE:
- Ish-ministri Aldo Bumçi dëshmon në SPAK për ‘Gërdecin’: Shkresa për Shkëlzen Berishën, e falsifikuar
- Shkëlzen Berisha mohon akuzat në SPAK për 'Gërdecin': Në Ministrinë e Drejtësisë takoja miq, s'kam lidhje me shkresën e Bumçit (video)
Ai thotë se është i gatshëm që të paraqitet sapo të ketë një ftesë të tillë. “Në lidhje me disa raportime mediatike për “mos paraqitjen” time si dëshmitar në gjykatë, më duhet të sqaroj se ne asnjë adrese timen fizike apo elektronike nuk ka mbërritur asnjë ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar! Pretendimet e SPAK, që janë qartaz në funksion të qëllimeve politike e mediatike të Edi Ramës, bien poshtë, si nga njoftimet e mëparshme që janë ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti që personalisht në dëshminë e dhënë para SPAK kam depozituar adresën e saktë, si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur për t’u paraqitur konform ligjit me të marre ftesën”, shkruan Shkëlzen Berisha.
Ndërkohë, seanca e radhës për “Gërdecin” është vendosur më 27 dhjetor në orën 09:00.
Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit, ish-ministër i Drejtësisë, dyshohet se i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës, Fatmir Mediu me shënimin “Për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.
Faksi i vitit 2007, ku ishte shënuar emri i Shkëlzen Berishës, dyshohet se ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.
Aldo Bumçi: Nuk kam dërguar asnjë shkresë në Ministrinë e Mbrojtjes
Megjithatë, sot dëshmoi ish-ministri i Mbrojtjes, Aldo Bumçi, i cili ka mohuar shënimin “Për Shkëlzenin”. Lidhur me kallëzimin për falsitet e dëshmi të rreme nga sekretarja e tij, ai ka deklaruar se nuk është dijeni çfarë është bërë.
Bumçi dha shpjegime edhe për një shkresë nga Ministria e Drejtësisë dhe të Mbrojtjes, me anë të faksit, duke mohuar që të kishte sigluar një shkresë të tillë për Shkëlzen Berishën. Ai tha se kishte bërë një kallëzim pas shpërthimit në Gërdec, duke pretenduar se ishte e falsifikuar.
Bumçi pranoi se e ka njohur djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, por se nuk ka pasur kontakte miqësore dhe se e ka takuar për fushata elektorale.
Ai pranoi se e ka takuar në fund të vitit 2007, ku e ka pritur dy herë në zyrë Shkëlzen Berisha për arsye elektorale dhe se mohoi të kishte diskutuar për çështjen e armëve.
Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe ish-sekretarja e Bumçit, e cila ka deklaruar se në atë kohë kur është dërguar faksi ka qenë me leje lindje.
Fatmir Mediu: Do të jem në çdo seancë, dua të dalë e vërteta
Nga ana tjetër, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shprehur se dëshiron që të dalë e vërteta lidhur me tragjedinë e ndodhur 15 vjet më parë, ku humbën jetën 26 persona në fbrikën e dëmontimit.
Pas daljes nga GJKKO, ai ka thënë se ai ka vepruar në respekt të ligjit, ku ka deklaruar se do të paraqitet në çdo seancë.
“Dua që të dalë e vërteta rreth këtij procesi dhe besoj që u provua se Fatmir Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, në plotësim të akteve ligjore që ka pasur, ka pasur marrëdhënie korrekte me të gjitha strukturat. Nuk ka pasur një reklamim tek ministri i Mbrojtjes për problematikat që mund të kishte pasur në Gërdec. Qëndrimi im ka qenë i prerë që duhet të procedohen penalisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjet”.
Mediu theksoi se çdo vendim që ka marrë, e ka kryer në përputhje dhe në zbatim të ligjit.
“Ajo që është e rëndësishme, ky demontim ishte çështje sigurie, detyrim ligjor sepse ishte çështje sigurie për jetën në Shqipëri. Në ministrinë e Mbrojtjes, çdo urdhër i ministrit obligon strukturat që të dalin me raportimet përkatëse të urdhrit të ministrit dhe kjo është e shkruar. Nuk kam bërë as më shumë dhe as më pak, veçse detyrën time në përputhshmëri me këto akte. Kompania kishte bërë shkelje dhe ky vjen si shqetësim i policisë ushtarake. Unë nuk vendos gishtin e përgjegjësisë se kush e ka bërë. Unë nuk kam dijeni se ka pasur veprime mbrapa. Nuk ka një akt apo neglizhim që unë nuk e kam adresuar për zgjidhje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.