Politike

Ibrahimi në krye të KLP, nis beteja për zgjedhjen e kryeprokurorit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e parë në sallën e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka zgjedhur si kryetar Gent Ibrahimin dhe si zëvendëskryetar Alfred Balla. Që të dy janë të zgjedhur nga Parlamenti për këtë Këshill dhe vijnë nga jashtë sistemit të Prokurorisë. Mbledhja është drejtuar nga juristja më e vjetër , Nurihan Seitaj dhe mësohet se e pranishme ka qenë edhe kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku.

Për kreun e KLP-së, Ibrahimi kishte përballë kandidaten Nurihan Seitajn. Nga 11 anëtarë të KLP, 7 prej tyre votuan pro Gent Ibrahimit. Ndërsa në postin e nënkryetarit është zgjedhur Alfred Balla, i cili mori 6 vota. Gent Ibrahimi vjen si kandidaturë nga bota akademike dhe nga pesë të zgjedhurit jo magjistratë, ndërsa Alfred Balla është përzgjedhur nga pesë anëtarët e votuar nga shoqëria civile.

Nga mbledhja e sotme e KLP-së

11 anëtarët e KLP-së janë: Besnik Cani, Gent Osmani, Antoneta Sevdari, Kosta Beluri, Bujar Sheshi dhe Arben Dollapi që vijnë nga brenda sistemit të Prokurorisë, si dhe Nurihan Seiti (Metaj); Tartar Bazaj; Gent Ibrahimi; Sandër Beci; Alfred Balla, të zgjedhur nga Parlamenti të zgjedhur nga avokatia, bota akademike dhe magjistratët.

Ibrahimi, eksperti i Reformës në Drejtësi


Gent Ibrahimi është një ekspert i fushë së jurisprudencës. Ai është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1992. Ka përfunduar studimet Master në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), Budapest, në periudhën 1994 - 1995.
Ai e ka filluar karrierën e tij si profesor i të Drejtës Administrative në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si Oficer Programi në Fondacionin Soros, e më pas Këshilltar Ligjor/Shef Kabineti i Ministrit të Shtetit për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Këshilltar Ligjor në UNMIK, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore dhe Këshilltar në Projektin kundër Korrupsionit, PACA.

Për procesin reformës në drejtësi të ndërmarrë nga Parlamenti, Ibrahimi u caktua kryetar i Këshillit të Reformës Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë. Ai ka qenë i angazhuar si ekspert në disa Shërbime Konsulence në fusha të tilla si sistemi gjyqësor, reforma administrative, media, prokurimi publik, etj . Gjithashtu, ka marrë pjesë në disa grupe pune për hartimin e ligjeve të rëndësishme si ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ligji organik për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ligji për Gjykatat Administrative. Nga karriera e tij profesionale, Ibrahimi ka punuar si këshilltar apo shefi i kabinetit në kohën kur në pushtet kanë qenë qeveritë socialiste. Ndërsa në vitin 2016, Gent Ibrahimi së bashku me ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi, ishin kandidatët për t’u propozuar nga qeveria shqiptare si gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut. Kandidaturat u  përzgjodhën nga një Komision i Posacëm i përbërë nga Luan Omari, Kristaq Traja, Bashkim Dedja, Artan Hoxha dhe Artur Metani i ngritur me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Por këto kandidatura u refuzuan nga Këshilli i Europës.
Por Gent Ibrahimi është sulmuar edhe nga Partisë Demokratike. Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj pati kontestuar zgjedhjen e Ibrahimit në grupin e ekspertëve të nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi, pasi sipas tij, është i njëanshëm, për shkak se është kunat i ish-ministres së Mbrojtjes, deputetes socialiste Mimi Kodheli.

KLP do të zgjedhë kryeprokurorin


Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë dhe kanë një mandat 5-vjeçar. Ky organ kolegjial do të marrë kompetencat që ka ushtruar Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Por neni 179 i Kushtetutës në pikën 6, si pjesë e dispozitave kalimtare, përcakton se “Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë emërohen fillimisht për një mandat trevjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Për emërimet e para për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 149, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”. Këshilli aktual i duhet të ketë një mandat të kufizuar mbi bazën e këtij përcaktimi.

Arta Marku gjate betimit në Parlament, ku votimi u bë në një situatë të tensionuar

KLP-ja duhet të zgjedhë sipas ligjit Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Brenda 5 ditësh pritet të shpallet gara e hapur për kreun e Organit të Akuzës. Sipas nenit 148/a të Kushtetutës, “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit”.
Në pikën tre të këtij neni, përcaktohet se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.


“Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar. Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit”, thuhet në pikat 4 dhe 5 të këtij neni të ligjit themeltar të shtetit shqiptar. Kryeprokurorja aktuale Arta Marku është zgjedhur në këtë detyrë me vendim të Parlamentit në dhjetor të vitit të shkuar. Në seancën e 18 dhjetorit, pati shumë kontestime, pasi opozita ishte kundër. Madje në këtë votim u hodhën edhe tymuese nga deputetët e opozitës. Marku u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës, ku pro saj ishin 69 deputetë, 2 kundër dhe 2 abstenim.
Marku, nisur nga kriteret ligjore është edhe një nga kandidatët e mundshme për këtë post , pasi i plotëson kriteret e nevojshme. Tashmë vlerësimet i takojnë t’i bëjë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë