Skënder Gega ka bërë sot prezantimin zyrtar si trajner i Kukësit. Në një nga sallat e “Air Albania Stadium”, në praninë e drejtorit sportiv Nderim Nexhipi, ai ka folur për projektin që ka në krye të stolit kuksian, kontratën dhe detaje të tjera.
“Po, kam biseduar dy herë me Kukësin dhe dëshira ka qenë e përbashkët për një bashkëpunim. Jam gati për këtë sfidë, por nuk kam premtuar asgjë. Kontrata ime është njëvjeçare dhe do të bëjmë më të mirën që dimë, duke nisur nga ndeshjet e Europës, ku synojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pse jo të kalojmë turin. Nga ekipi janë larguar disa lojtarë, megjithatë dua të shikoj përpara. Nuk kemi hapësira shumë të mëdha, do t’i mbulojmë ato pak hapësira që kanë mbetur.
Kukësi ka punuar mirë, është nje ekip që ka kualitete, por do të shikojmë me qetësi. Asnjë person që është nën kontratë në kampionatin tonë nuk kam tentuar ta kontaktoj, as që e kam çuar në mendje. Për kontratën time do të flasim pas një viti. Nga përvoja që kam pasur me Partizanin ndaj Mariborit kam mësuar shumë, sepse Championsi dhe Liga e Europës të japin leksion tjetër.
Jam më optimist, sepse mendoj se ekipi është më i konsoliduar se Partizani vjet. Do të punojmë fort, do t’i shohim gjërat me optimizëm dhe avash-avash. Të jem i sinqertë, Kukësi ishte afër titullit kampion sezonin e fundit. Futbolli në Shqipëri këtë vit është ndryshe, nuk ka ndodhur më para aktivizimi i moshave të reja. Është gjë pozitive që prodhimi ynë po promovohet. Klubi do të angazhohet për zhbllokimin e merkatos. Unë jam teknik dhe nuk merrem me të tilla çështje, por jam i sigurt se nuk do ketë bllokim dhe ta shohim situatën me optimizëm.
Merkato? Nuk kam preferenca për emrat, shoh vetëm anën teknike. Po punojmë me drejtorin Nexhipi dhe do të vijnë lojtarë, por për momentin nuk mund të bëjmë asgjë publike. Jemi në bisedime, po shohim edhe në kampionatin shqiptar, por asnjëherë nuk kontaktojmë lojtarë që janë nën kontratë. Lojtarët do vijnë me aprovimin tim. Kukësi ka kualitet dhe nuk është e thënë të shoh nga Partizani, meqë i kam drejtuar më parë.
E thashë, Kukësi ishte rival i Tiranës. Sivjet kanë luajtur të rinj në disa ekipe dhe është diçka e mirë, ndërsa “Air Albania” i ka dhënë një imazh të ri futbollit shqiptar. Nuk më takon ta bëj analizën e sezonit të fundit, por diçka ka munguar. Do t’i pyes lojtarët, do flas me ta, po shohim edhe te moshat. Jam ambicioz dhe do bëj të pamundurën që gjërat të shkojnë sa më mirë. Kam besim se bashku do t’i arrijmë objektivat”, - tha Gega mes të tjerash.
Në nivel klubesh trajneri kryeqytetas ka drejtuar Partizanin, të cilin e ktheu të titulli pas 26 vitesh, ndërkohë që ka qenë në krye edhe të kombëtares U-21 pak vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.