Ekspozite

Gazmend Leka: Kur lutet piktori

Shpesh i përgjunjur apo edhe i shtrirë përdhe, në një sfond të përhimë, që thyhet rrallë  nga bojërat e hedhura në tavaloc, penelat  dhe sendet  e shpërndara  rrëmujshëm në studion e tij. Kështu piktori Gazmend Leka ka zgjedhur t’i shfaqet publikut në ekspozitën e re, “Lutja”, çelur në Galerinë “Fab”, mbrëmjen e 4 tetorit e  që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit.Janë njëzet e katër piktura të një cikli, ku piktori i propozohet kundruesit në mënyrë të dyfishtë; si krijues dhe subjekt. Meditues, pritës i muzës që vjen si transcendencë dhe në çaste krijimi, Leka merr një pamje gati-gati asketike prej murgu,  ndërsa studioja shndërrohet në tempullin, faltoren e tij vetjake. “Jemi murgjit e kësaj feje të madhe, e cila ka ligjet e veta”, mendon piktori, ndërsa për kuratorin Ermir Hoxha, Lutja – titulli i kësaj ekspozite – vjen si metaforë e artit.

Është lutja përpara një krijimi. “Mund të jetë një çast, një orë, një javë dhe mund të zgjasë pafund”, mendon Hoxha, ndërsa piktorit i duhet të përballet me hiçin dhe prej tij të krijojë  e të sjellë në jetë tablo.  “Duket sikur artisti krijon gjithçka nga hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin heshtja e madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.”, shkruan në tekstin kuratorial Hoxha, i cili e sheh këtë ekspozitë si dedikim i kësaj heshtjeje të madhe.

Tablotë në çaste lutjeje, përçojnë vetminë. Piktori rrëfen se në studion e tij, ku kalon thuajse dymbëdhjetë orë çdo ditë është më së shumti vetëm. Çështje frekuencash. Që të tijat të mos disonojnë me të vizitorëve, parapëlqen vetminë. Por kurrë nuk është krejt i vetëm, sepse me të janë personazhet, pjellë e fantazisë së tij. Ai është aty, me personazhe reale e irreale, me miq e demonë,  me erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës.

Dy pikturat në qendër të sallës të ekspozitave, pranë Universitetit të Arteve, të cilat piktori i cilëson si aksi i ekspozitës, janë dy  çaste simbolike të të gjithë ciklit; lutja e mëngjesit me studion e viteve ’90, të zbrazët me një copë letër përpara dhe beteja përballë krijimit dhe fundi i ditës, kur “pasi e ke shpenzuar energjinë, ke vdekur nga pak”, thotë piktori, ndërsa shton “por ke mbijetuar në vepër”.

Vdekja, si simbolikë apo frikë e tij si e të gjithë qenieve të vdekshme, vjen e portretizuar në disa tablo, të cilën Leka e quan “Fjetja e madhe”. “Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë...”, shkruhet në krah  të njërës prej  tablove me përmasa domethënëse. Piktura, rrëfen artisti, është antidoti ndaj fuqisë së vdekjes. “Edhe un si të gjithë e kam frikë vdekjen”, nuk ka frikë ta pranojë Leka.

Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq "i rastësishëm", gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh. Për kuratorin Ermir Hoxha, të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh.

 “Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit, në habitatin e vet, si një bunacë shurdhe para një stuhie të egër.

Është autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i ngjizur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial.”, shpjegon Hoxha konceptin e këtij cikli pikturash.

Leka e ka konsideruar veprën e tij gjithnjë si një akt të gjatë lutjeje, që: “... fillon çdo ditë me lindjen e diellit”. E shkruar, që në vitin e largët 1994, ajo mbetet ende sot e pandryshuar, si përkufizim dhe udhërrëfyes i njërës prej krijimtarive më të vrullshme të kohës që jetojmë.

Në rrjedhën e shumë ekspozitave personale: “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar, porse ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës.

E kishte menduar fillimisht ta titullonte këtë ekspozitë si “Lutja e artistit”.  “E hoqa pjesën e “artistit” duke menduar se të gjithë njerëzit luten, në mënyrën e tyre,” shpjegon piktori. Është ai bekim që njeriu i bën vetes përpara e të nisë një punë.  E kur lutja bëhet e thellë dhe e brendshme, përfundon piktori, kthehet në meditim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë