Lajme

Gazi lotsjellës në protesta, Bardhi: Lleshaj, mbetje e komunizmit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është paraqitur në Prokurorinë e Tiranes, pasi është thirrur për padinë e bërë nga Partia Demokratike ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe policisë.
Padia nga ana e PD-së është dorëzuar pas protestës së 16 marsit dhe akuzon ministrin e Brendshëm dhe policinë për përdorimin e gazit lotsjellës kundër protestuesve të opozitës.
“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht”, thuhet në letrën shoqëruese që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës.
Sipas PD-së, përdorimi i gazit lotsjellës për të shpërndarë turmën është i paligjshëm.

Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, në një prononcim të shkurtër për gazetarët Bardhi e quajti ministrin Lleshaj, mbetje të komunizmit dhe tha se sot ka çuar në prokurori prova e fakte për dhunën e bërë ndaj qytetarëve.
“Ministri i Brendshëm është mbetje e kohës së komunizmit. Koha kur protesta trajtohej si puç kushtetues ka përfunduar 30 vite më parë. Nuk ka e s’do ketë asnjë ministër të Brendshëm, prokuror apo gjyqtar të trembë qytetarët për të drejtën e tyre. Të protestosh është një e drejtë legjitime. Vetëm për një mbetje të komunizmit protesta është puç kushtetues. Kam dhënë prova e fakte për veprimet e kundërligjshme të punonjësve të policisë, të cilët me urdhër politik kanë sulmuar qytetarët duke i penguar në të drejtën e tyre të protestës”, deklaroi Bardhi.
Po kështu ai u bëri thirrje gjyqtarëve e prokurorëve të mos i shërbejnë qeverisë pasi qytetarët nuk kanë për të falur.
“Apeli im është për gjyqtarët e prokurorët, nuk kanë për të kaluar vettingun duke i shërbyer në mënyrë kriminale qeverisë. Qytetarët nuk kanë për të falur. Fundi i gjyqtarëve e prokurorëve që i shërbejnë qeverisë kriminale do jetë i njëjtë me atë të qeverisë”, u shpreh ndër të tjera Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë