Drejtori i Policisë së Shtetit, pasi vizitoi 11 efektivët policorë që u lënduan gjatë protestës së opozitës më 26 maj, deklaroi për mediat se punonjësit e policisë treguan maturi gjatë tubimit.
I pyetur për lëndimin e gazetarit dhe kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Veliu tregoi se kishte vizituar edhe Bledi Kasmin.
Kryepolici Ardi Veliu deklaroi se e kishte takuar qytetarin e lënduar dhe i kishte uruar shërim të shpejtë, por në lidhje me akuzat e drejtuesve të PD, që Kasmi ishte dhunuar nga policët, ai u shpreh se të vërtetën, nëse ka gabuar policia apo gazetari do ta saktësojnë pamjet filmike gjatë protestës opozitare të së shtunës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gazetari Bledi Kasmi duke folur për mediat ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes. "Kanë ardhur më kanë gjuajtur. Kanë hequr një mburojë prej hekuri, a çfarë ishte, e kanë hedhur poshtë, pastaj i dyti, ishte njëri nga ato forcat e policisë që më gjuajti me shkop gome kokës. Atij i shpëtova, nuk pata ndonjë pasojë. Pastaj ishte dikush tjetër, kuptohet, tamam pabesi, që më ka gjuajtur dy ose tre herë me shkop gome dhe kjo gjë më shkaktoi këto hematomat dhe këto çarjet. Dy deputetët Gent Strazimiri dhe Albana Vokshi erdhën e më ndihmuan, morëm ambulancën në telefon, erdhi më dërgoi në spital".
Mësohet se pas protestës së opozitës, në vendngjarje kanë shkuar oficerë të policisë gjyqësore të cilët kanë bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe pritet që të ketë dhe një reagim zyrtar nga policia për procedimin e personave përgjegjës për incidentet e ndodhura gjatë tubimit të 26 majit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.