Lajme

Gazetari gjerman: Do të publikoj se si bosi i një grupi kriminal blen votat për PS

Gazetari gjerman, Peter Tiede mohoi se përplasja mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama në Shqipëri është shndërruar në një përplasje personale. Ai e cilësoi detyrë si gazetar publikimin e audiopërgjimeve dhe shprehet i pakënaqur nga reagimi që ka marrë prej kreut të Qeverisë shqiptare.

Tiede thotë se vendosi të publikojë audiopërgjimet pas botimit të një artikulli mbi Shqipërinë, ku shkruante se si, sipas tij, mafia kishte kapur shtetin. Pas këtij artikulli, Kryeministri Edi Rama hamendësoi se pas gazetarit gjerman qëndronte opozita shqiptare, madje tha se gazetari edhe mund të ishte paguar për këtë shërbim.

Peter Tiede i mohoi këto akuza atëherë dhe i mohoi sërish këtë të hënë në një lidhje telefonike me “A Show” në News24. Duke folur në lidhjen e drejtpërdrejtë, Tiedes mirëpriti sfidën e Kryeministrit shqiptar për ta paditur në gjykatat gjermane dhe paralajmëroi se në ditët në vazhdim do të publikojë audiopërgjime edhe më të rënda se seritë e publikuara deri më tani.

“Kam shumë gjëra dhe në ditët në vazhdim do të publikoj disa, pasi reagimi dhe përgjigja e Kryeministrit Edi Rama ishte e fortë. Po kam diçka tjetër, më lejoni që ta them, diçka për bosin e një grupi kriminal që blen vota për Partinë Socialiste së bashku me drejtuesin lokal të policisë dhe më një ose disa ministra”, paralajmëroi gazetari gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë