Politike

Gazeta raciste greke që nxori listën e shqiptarëve të “shitur”

Mentor Kasa - Prej dy ditësh, në mediat online në Shqipëri qarkullon i njëjti artikull; ai me listat e emrave të gazetarëve, aktorëve dhe politikanëve që thuhet se janë paguar nga buxheti i fshehtë i Ministrisë së Jashtme greke për “të folur” mirë për Greqinë dhe mbrojtur interesat greke në vendin tonë.

Në të gjithë artikujt citohet si burim gazeta greke “Eleftheri Ora” dhe dy gazetarë të saj me emrat E.Tofinou dhe H.Jakopoulos. Nëse kërkon në faqen e internetit të kësaj gazete ( www.elora.gr ) gjen artikuj që flasin për këtë temë, por jo lista me emrat e politikanëve, gazetarëve, apo artistëve shqiptarë të paguar.

Por, në mediat online dhe portalet në Shqipëri kanë qarkulluar me shpejtësi dy lista. Emrat e paraqitur në këto lista janë befasues dhe prejardhja e tyre është nga të gjitha fushat publike në vendin tonë. Se kush i publikoi i pari mbetet e paqartë, por ajo që vërehet në këto lista janë disa emra që hedhin hije të forta dyshimi për vërtetësinë e lajmit.

Pavarësisht kësaj, shumë lexues online i kanë marrë të mirëqëna dhe në komentet e bëra nëpër rrjetet sociale vihet re mllëfi ndaj personave të rreshtuar në artikujt në fjalë. Por, ka nga ata që dyshojnë dhe me të drejtë, pasi që një lajm të jetë i besueshëm duhet që më parë të shihet burimit të tij.

Në këtë rast, për mediat online dhe portalet shqiptare burimi është “Eleftheri Ora” dhe po e marrim të mirëqënë se kjo e fundit ka publikuar këto lista. Vetë gazeta greke citohet me “burime” nga Qeveria e Athinës. Për burimet brenda qeverisë greke e kemi të pamundur që të flasim, por për “Eleftheri Ora” po.

Eleftheri Ora me titullin: Po u shesin shtepite tona cifuteve dhe refugjateve ilegale

“Eleftheri Ora” është një gazetë e lidhur fort me qarqet nacionaliste të kishës greke, e po ashtu edhe me forcat ekstremiste të djathta, si Agimi i Artë. Artikujt urryes, ofendues, abuzues dhe hera-herës me përpjekje për të shkaktuar përçarje e trazira në vendet fqinje janë të panumërt, aq sa mediat turke, kur e citojnë thuajse në të gjitha rastet e cilësojnë si një “organ të shërbimit sekret greke”.

Gazeta në fjalë ka një historik të rënduar ndër vite lajmesh të rreme, gjysmë të vërtetë, madje edhe një CV të pasur me artikuj racistë ndaj shqiptarëve, myslimanëve dhe hebrenjve.

Një prej kulmeve të abuzimit të kësaj gazete me artikujt ishte ai i janarit të këtij viti, kur bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit sapo kishin rinisur. “Eleftheri Ora” fliste për shqyrtimin e një propozimi për ndarjen e Maqedonisë. Madje, në artikull publikohej edhe si do të ndahej, ku pjesa më e madhe e këtij territori shkonte për Greqinë, një pjesë për Shqipërinë dhe pjesa tjetër për Bullgarinë.

Për t’u kthyer pak më shumë në kohë, në 2012 një vit pas censusit, "Eleftheri Ora" fliste për një “genocid dhe spastrim etnik të pashembullt të shqiptarëve ndaj minoritetit grek në jug” dhe se kjo temë do të diskutohej edhe në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, një lajm kryekëput i pavërtetë.

Ndër vite, Komiteti Grek i Helsinkit, por edhe shoqata, organizata dhe aktivistë për të drejtat e njeriut kanë denoncuar artikuj të shumtë të kësaj gazete si racistë ndaj hebrenjve, myslimanëve dhe popujve të tjerë.

Rastet kur “Eleftheri Ora” hapet me tituj urryes dhe lajme të rreme janë të shumta, por le t’u referohemi pjesës më “pikante” të tyre.

Në dhjetor të 2017, “Eleftheri Ora” pasqyronte një lajm ku tregonte me një pjesë videoje të montuar se si disa persona të “komunitetit rom grabitën drejtuesit e makinave të ngecur në një rrugë të mbuluar nga dëbora në Greqi”.

Romët kishin ndaluar vërtet në këmbë dhe me kuaj në pjesën e rrugës ku ishin bllokuar disa makina, por në të gjitha rastet, ashtu siç deklaruan vetë drejtuesit e mjeteve të bllokuar jo për t’i grabitur, por për t’i ndihmuar që të tejkalonin pengesat. Deklaratat e drejtuesve të mediave të bllokuar u vërtetuan më vonë nga videot që nisën të qarkullonin edhe në një pjesë të mediave të tjera greke.

Në një tjetër rast, “Eleftheri Ora” mburr sulmin me vezë ndaj Qendrës Kulturore Myslimane në zonën e Selanikut, por edhe vizatimin e kryqeve në banesat e minoritetit turk në Komotini. Më 24 mars të 2017, kjo gazeta hapej me artikullin “Xhihadistët do të hedhin në erë Parlamentin gjatë Pashkëve”. Një artikull abuziv, që koha e provoi plotësisht të rremë.

Godina e Parlamentit grek

Ka shkruar gjithashtu edhe një artikull të gjatë ku “shpjegonte” sesi qeveria e “Tsiprasit” do t’u jepte votën të gjithë emigrantëve që jetonin në Greqi, por duke bërë lëmsh nga padija, ose nga dashakeqësia termin “emigrant i rregullt” me “refugjat” dhe fliste “se si e ardhmja e Greqisë do të vendosej nga votat e sirianëve, pakistanezëve apo afganëve”.

Megjithatë, hebrenjtë janë shënjestra kryesore e “Eleftheri Oras”. Gazeta ka shkuar aq larg se në faqet e para të saj të publikojë artikuj “groteskë”, siç ishte rasti kur hapej me lajmin: “Dokumentat greke do të prodhoheshin nga një kompani izraelite”, e më pas citonte një klerik të Kishës Ortodokse greke që thoshte se në pasaportat dhe kartat e identifikimit do të stampohej “vula e Djallit”.

Gjuha urryese ndaj hebrenjve shkon edhe pas në kohë. Në një shkrim të publikuar kohë më parë, “Eleftheri Ora” denonconte që në titull “masakrën e çifutëve, që vranë 1 milionë grekë” dhe në brendësi sqaronte se bëhej fjalë për ngjarje të ndodhura në shekullin e parë p.e.s.

Rasti tjetër kundër hebrenjve është më i freskët. Pas zjarreve vdekjeprurëse në zonën e Atikës, “Eleftheri Ora” hapej me “investigimin ekskluziv” duke gjetur se flakët ishin shkaktuar nga “Rothschild”-at. Gazeta luan fort edhe me teoritë e konspiracionit, duke e quajtur Alexis Tsiprasin si “kukull” të hebrenjve, Sorosit dhe një “çifut të islamizuar”.

Eleftheri Ora akuzon Rothschild's per zjarrin ne Atike

Aq të lidhur e shihte me Izraelin Tsiprasin, sa në qershor të 2017, një javë pasi Athinën e vizitoi Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, “Eleftheri Ora” akuzonte Alexis Tsipras se kishte biseduar me Netanjahun edhe për Çamërinë dhe shitjen e saj. A do t’ja shiste Netanjahut Çamërinë për llogari të Izraelit, apo për llogari të Shqipërisë? Kjo pyetje nuk merrte përgjigje në artikullin në fjalë.

“Eleftheri Ora” mohon Holokaustin, Islamin e lidh drejtpërdrejtë me terrorizmin dhe emigrantët i sheh si kërcënimi kryesor për Greqinë, përfshirë emigrantët shqiptarë. Artikujt nacionalistë me nota të forta të ortodoksisë greke gjejnë hapësira të mëdha dhe gjuha e superioritetit grek nuk mungon.

Në të gjitha rastet artikujt abuzues e të rremë të saj janë raportuar nga Komiteti Grek i Helsinkit dhe organizata të tjera të mbrojtes së të drejtave të njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë