Bota

Gaza ‘shi’ raketash drejt Izraelit, Hamasi: Operacion stuhi, sot fillon historia. Netanyahu: Jemi në luftë

Mëngjesin e të shtunës, grupi palestinez Hamas filloi një sulm të paprecedentë kundër Izraelit nga Rripi i Gazës, nga toka dhe nga ajri. Ky është sulmi më i madh ndaj Izraelit në vite, një sulm të befasishëm që përveç qindra raketave të lëshuara edhe njerëz të armatosur depërtuan brenda në Izrael.

Ushtria izraelite është "gati për luftë", njoftoi Ministria e Mbrojtjes izraelite. 

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thirrur në një takim shefat e sigurisë. Deri më tani raportohet për 1 viktimë dhe 15 persona të plagosur.r Autoritetet lëshuan alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. 

Presidenti izraelit Isaac Herzog ka thënë se Izraeli "po përballet me një moment shumë të vështirë".

Në një deklaratë në X, i njohur më parë si Twitter, ai shkroi: “Shteti i Izraelit po përballet me një moment shumë të vështirë. Dëshiroj t'u ofroj forcë komandantëve dhe ushtarëve të IDF (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit) dhe të gjitha forcave të sigurisë dhe shërbimeve të shpëtimit. Unë dërgoj inkurajimin dhe forcën time për të gjithë banorët e Izraelit që janë nën sulm.

Ai u bëri thirrje të gjithëve që të ndjekin udhëzimet nga Komanda e Frontit të Brendshëm dhe të tregojnë përgjegjësi dhe vendosmëri reciproke.

Mediat izraelite raportuan se personat e armatosur kishin hapur zjarr ndaj kalimtarëve në qytetin e Sderot, në jug të Izraelit, dhe pamjet që qarkullonin në mediat sociale dukej se tregonin përleshje në rrugët e qytetit si dhe persona të armatosur me xhipa që enden nëpër fshat. Mediat palestineze raportuan gjithashtu se një numër izraelitësh ishin zënë rob nga luftëtarët.

Hamasi publikoi një deklaratë duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.

“Nëse keni armë, nxirreni. Kjo është koha për ta përdorur atë. Nxirrni kamionë, makina, sëpata, sot fillon historia." Kështu thotë komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammad Deif në mesazhin e regjistruar në të cilin ai bën thirrje për një revoltë të përgjithshme kundër Izraelit. Kjo u raportua nga CNN.

Mediat palestineze pretenduan se militantë të armatosur kanë kaluar kufirin nga Gaza për në Izrael, ndërkaq Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë shkruar në X – që më herët njihej si Twitter – se “një numër i terroristëve janë infiltruar në territorin e Izraelit nga Rripi i Gazës”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi me vonë se Izraeli është "në luftë" me militantët e Hamasit që kontrollojnë Rripin e Gazës.

Deklarata u e kryeministrit Netanyahu u bë në një fjalim televiziv pas sulmit të paprecedentë në shkallë të gjerë, nga toka dhe nga ajri, që grupi palestinez Hamas ka ndërmarrë ndaj Izraelit prej mëngjesit të së shtunës, (ora 07:00 e 7 tetorit 2023)

Ky është sulmi më i madh ndaj Izraelit në vite, që e kapi befasisht Izraelin dhe përveç mijërave raketave të lëshuara edhe njerëz të armatosur depërtuan brenda kufirit të fortifikuar të vendit në 21 lokacione në Izrael.

Deri më tani raportohet për 40 të vdekur dhe 740 të plagosur dhe 33 persona të marrë peng.

Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festë fetare hebreje. Po ashtu vjen pas një periudhe të luftimeve intensive në Bregun Perëndimor, ku pothuajse 200 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë bastisjeve këtë vit. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve palestineze ndaj caqeve izraelite janë vrarë mbi 30 persona.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te grupet militante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë