Futboll

Gatuzo prezantohet në stilin e vet: Marseja në 4 vendet e para, ose në shtëpi!

Gazeta Si – Ivan Xhenaro Gatuzo është prezantuar si trajneri i ri i Olimpikut të Marsejës. Italiani ka folur në konferencë shtypi për zgjedhjen që ka bërë. Kur është pyetur për objektivin, ai ka bërë edhe pak humor, në stilin e vet origjinal:

“Objektivi është që ta çoj Olimpik Marsejën në 4 vendet e para. E kam edhe në kontratë, në të kundërt shkoj në shtëpi”, - ka thënë Gatuzo, gati për të udhëhequr një skuadër në përpjekje për të kënaqur piacën e ‘Velodrome’, një nga stadiumet e paktë në Europë që ngjan me stadiumet amerikano-jugore.

Ambienti nuk është aq i lehtë te Marseja, ku ultrasit provokuan largimin e Marselinos, por edhe Tudor sezonin e kaluar hasi shumë vështirësi, pavarësisht vendit të 3-të. Gatuzo nuk frikësohet aspak nga kjo situatë.

“I di vështirësitë, e di që ky ambient është i nxehtë, por nuk më frikëson, ka rëndësi puna. Jetohet vetëm një herë dhe nuk mund t’i thosha ‘Jo’ Marsejës. Gatuzo trajner është shumë ndryshe nga ai lojtar, që ndoshta nuk do ta fusja në skuadrat e mia tani. Më pëlqen të kem një skuadër që e nis sulmin nga mbrojtja, agresive dhe që luan në gjysmëfushën kundërshtare.

Te Milani dhe Napoli besoj është parë një futboll i mirë. Nuk jam trajner agresiv, por i them gjërat në sy, jam zënë pak herë me lojtarët. Duhet të përmirësoj marrëdhëniet me drejtuesit, nëse dua të vazhdoj të bëj këtë punë”, - është shprehur Gatuzo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë