Treg

‘Garancia Rinore’/ Projekti pilot që synon punësimin e 18 mijë të rinjve në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë

Nga Gazeta ‘Si’-Të rinjtë e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit brenda një periudhe 4-mujore do të marrin një ofertë punësimi, trajnimi apo mësimi profesioni.

Kështu parashikon Zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore e cila u lancua sot dhe ka për synim integrimin e të rinjve në tregun e punës.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani deklaroi se fillimisht do pilotohet në tri bashki të vendit: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

 “Një nga mekanizmat e rëndësishëm në rritjen e aftësive profesionale dhe që na siguron trajtimin e të rinjve NEET, pra që nuk punojnë dhe nuk ndjekin kurse kualifikimi është Skema e Garancisë Rinore, si pjesë e iniciativës së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi të bindur se Garancia Rinore do të mbështesë të rinjtë, të cilët përballen me pengesa në gjetjen e vendeve të punës dhe fitimin e aftësive të rëndësishme për tregun e punës, duke çuar në mungesën e perspektivës për të ardhmen, e reflektuar në rritjen e kërkesës për emigracion”, deklaroi ajo.

Gjatë fazës së pilotimit, parashikohet të nisë zbatimi i këtij programi duke u mbështetur në punëdhënës të cilët operojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë, me fokus të veçantë turizmin dhe energjinë.

Përmes kësaj skeme synohet të mbështeten në total rreth 18 mijë të rinj të moshës 15-29 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë