Politike

Gara për kryetar, Gjana bën llogaritë: 12 ditë mjaftueshëm, në 2017-n ishte vetëm një javë

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana, ka deklaruar për mediat se afati 12 ditor i cdo kandidati për të bërë fushatë për kreun e PD-së është i mjaftueshëm.

Përkundrejt zërave kontestues se koha është e limituar dhe e pamundur për të bërë fushatë në të gjitha degët, (mbi 70 të tilla) Gjana pretendoi të kundërtën, duke i llogaritur ditët mbi bazë qarku.

Madje komisioni kësaj here është treguar më “zemërgjerë” se në vitin 2017 kur në zgjedhjet për kryetar partie kishte vetëm një javë kohë.  

“Unë mendoj që është kohë e mjaftueshme në 12 qarqe. Ato takime elektorale do jenë, e kanë të pamundur të ulen seksion për seksion sepse janë 5000 të tillë. 12 qarqe të vendit, 12 ditë fushatë. Një ditë për një datë është e mjaftueshme. Kemi shtuar një javë më shumë në krahasim me fushatën e 2017-ën”, tha ai.

Përmes disa lojëra fjalësh, Gjana nuk mund të linte pa theksuar se avantazh në përzgjedhje do të kenë ata kandidatë që kanë kontribuar në fushatën elektorale.

Deri më tani, kandidat i vetshpallur për kryetar partie është Fatbardh Kadilli, zëra ndaj të cilit në PD thonë se ai nuk ishte aktiv gjatë fushatës, edhe pse vetë Kadilli pretendon të kundërtën.

“Pjesëmarrja në fushatë elektorale nuk mund të jetë një kriter i përjashtuar, por nuk mund të jetë as një kriter përjashtues. Se ndryshe do thoshim se nëse nuk ka marrë pjesë në fushatë elektorale, automatikisht është i përjashtuar. Por nëse ka marrë pjesë ka një pikavarazh të caktuar. Sepse partitë politike elektorale janë dhe për fushatën, përgatiten. Nuk kemi vënë kritere përjashtuese kemi vënë një set kriteresh përfshirëse”, tha Gjana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë