Politike

Gara për kreun e PD, Berisha: Kandidatët ishin të Ramës, Salianji u shit në burg!

Gazeta Si – Duke komentuar përjashtimin e kandidaturave për kreun e PD, Sali Berisha tha se nuk mund të linin në garë emra të mbështetur nga Edi Rama, përfshirë sipas tij dhe Ervin Salianjin.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët, kreu i PD theksoi se do të jetë i vetëm në këtë garë, por sipas tij PD është partia më e hapur dhe ndër të paktat parti në Europë dhe botë që e zgjedh kryetarin përmes votës së anëtarësisë.

“Mos bini pre e propagandës të atyre, që prej 2009 nuk bëjnë zgjedhje në parti. Partia Demokratike e zgjedh kryetarin direkt me votën e anëtarësisë. Në garë në këtë parti pranohen të gjithë demokratët, që plotësojnë kriteret në rregullore, për të marrë pjesë në këtë garë. Në garën e PD-së nuk mund të marrin pjesë kandidatët e Ramës. Kandidatë, që punuan në fushatë me parti tjetër, këta në çdo parti politike në botë, përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë së tyre në fushë-betejë. Çdo njeri që plotëson kriteret nuk është refuzuar”, – u shpreh ai.

Berisha iu rikthye sërish sulmeve ndaj Salianjit, duke thënë se ai merr udhëzime nga krimi dhe se kur ishte në burg u “birësua” nga Pëllumb Gjoka dhe Oltion Bistri.

“Salianji ishte një hero, nuk mund të them. Por se në burg ai e shiti veten. Hante dreka e darka me kriminelë të lidhur me Partinë Socialiste. Kurse zonjën Sela nuk e njoh, është hera e parë që ia dëgjoj emrin, por gara brenda partisë ka kritere“, u shpreh Berisha.

Ai e akuzoi po ashtu Salianjin se ka lidhje me socialistët. “Salianji i shërben Ramës. PD është ndarë në mënyrë përfundimtare me Edi Ramën dhe rrethin e tij kriminal. Dhe pikërisht me rrethin kriminal të Ramës, ka lidhje Salianji. Madje, Salianji shfaqet në TV shumë shpesh duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të qeverisë”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë